Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë në Kazermën “Adem Jashari”

05.03.2017 14:07:18

 

Kryeministri, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 19 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.

Fjala e kryeministrit Mustafa:

Ju drejtohem sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kazermën që mban këtë emër simbol krenarie, në përvjetorin e 19 të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem JASHARI dhe të Familjes JASHARI.
“Epopeja e UÇK-së” për çdo qytetar të Kosovës është festë e lirisë së Kosovës, është kremtja e vlerave të atdhedashurisë, patriotizmit dhe sakrificës sublime për Kosovën.
Të nderuar të pranishëm,
Kosova është shtet i ri, por përkushtimin dhe flijimin për atdhe dhe për liri e ka të vjetër aq sa e ka të vjetër edhe ekzistencën e njerëzve të saj.
Sot shënojmë një ditë të veçantë historike, një ditë flijimi të ngritur në shembull se si fiton e mira ndaj të keqes, e vërteta ndaj trillimit, liria ndaj robërisë.
Sot shënojmë 5 marsin, ditën e luftës epike të Kosovës, ditë e luftës së flijimit për liri dhe atdhe të drejtuar nga Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.
Shënojmë flijimin historik dhe heroik, përfshirë të gjithë bashkëfamiljarëve të Familjes Jashari, që është rast shumë unik në historinë e përbotshme.
Do ta kujtojmë këtë ditë për jetë e mot, sepse s’duhet të harrohet kurrë se sa e shtrenjtë është liria.
Do ta kujtojmë këtë ditë, sepse duhet të bindemi se sa shumë obligohemi për të punuar për paqe, për ta mbrojtur këtë fitore.
Krahas gjithë atyre që u flijuan për liri, ne sot nderojmë shtetin tonë të cilin duhet ta duam pa hile e ta zhvillojmë me punë, tokën tonë që duhet ta mbrojmë e punojmë, pavarësinë tonë që duhet ta begatojmë e forcojmë.
Si institucione, ia kemi borxh këtë përkushtim të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës, qytetarëve tanë pa kurrfarë dallimi si dhe lirisë dhe demokracisë përkundër të gjitha dallimeve që qytetarët tanë i kanë, në Kosovën unike.
Kemi edhe shumë punë e sfida përpara si shtet, të cilat do t’i kryejmë e tejkalojmë më mirë e më shpejt, duke kultivuar unitetin tonë shtetndërtues, me përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë që asnjëherë nuk na e kthyen shpinën ndaj nesh dhe historia na ka mësuar se kjo është mënyra më e mirë që ne t’i kalojmë këto procese.
Në ndërtimin tonë institucional e demokratik, ekonomik e social, ne kemi dallime ndërmjet veti, ashtu siç kanë edhe demokracitë tjera, por të gjithë ne jemi unik në një rrugë, në rrugën evropiane dhe euroatlantike.
Ne e shohim ardhmërinë tonë në familjen e shteteve të Bashkimit Evropian, ne e shohim të tashmen dhe të ardhmen tonë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Kosova, institucionet e saj, si dhe qytetarët kanë sfidat e veta, që janë të shumta dhe të cilat ndryshojnë krahas prosperitetit tonë. Kosova ka bërë transformime epokale dhe historike, falë rezistencës së saj paqësore, unike për këtë pjesë të botës, falë luftës çlirimtare të popullit të saj.

Ne sot mburremi me institucionet e reja shtetërore të ngritura në partneritet me miqtë tanë, mburremi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilën shohim ushtrinë tonë, një forcë paqeje e stabiliteti jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, një anëtare të ardhshme të Aleancës Veriatlantike. Kemi policinë, institucionet e sigurisë të afta dhe të organizuara sipas standardeve më të larta.

Qeveria po punon me përkushtim në zhvillimin e shpejtë ekonomik, arsimor e social, në krijimin e kushteve që qytetarët tanë të mos privohen nga e drejta për lëvizje të lirë, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, për të qenë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Sot, këtu, pohojmë fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është e sigurt, se ardhmëria jonë është në duart tona.
Kosova është shtet i pavarur e demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, është vend që nuk e harron të kaluarën e dhimbshme, por që po ashtu, është shumë e vendosur për të ecur përpara drejt jetësimit të synimeve të veta madhore.
Këtë përvjetor të “Epopesë së UÇK-së” po e shënojmë edhe me 114 njohje të shtetit tonë nga vende të ndryshme të gjitha kontinenteve, me anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me synim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe në NATO.
Ne kemi përgjegjësi që para qytetarëve tanë dhe para miqve tanë të vërtetojmë se pavarësia jonë është shembull i suksesit dhe se me begatitë tona njerëzore, etnike, kulturore e natyrore do të jemi shembull i ndërtimit të një vendi demokratik.
Zoti i bekoftë të gjithë ata që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës!

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës