Kryeministri, Isa Mustafa: Djallit engjell nuk mund t’i themi

Kryeministri, Isa Mustafa: Djallit engjell nuk mund t’i themi

31.08.2017 12:21:26

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke komentuar shkrimin e djeshëm ka thënë se më me dëshirë do të shkruante se u kritikuan dhe bënë vërejtje me vend për proceset dhe jo për ata që e rrëzuan qeverinë dhe i dhanë të drejtë dhunës, duke legalizuar gurët dhe flakën e hedhur mbi policët, Qeverinë dhe Kuvendin.

Ai ka thënë se ata që rrëzuan Qeverinë sot tentojnë ta formojnë Qeverinë me sekserë.

Sipas Mustafës, ata që rrëzuan Qeverinë promovuan sulmet me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotësjellës dhe dhunës në sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

“U hapën rrugë atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme. Me sekserë. Sepse ndryshe e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendoj politikisht. Dhe nga një rrugë normale, me mendësinë e konspiracionit, e solli vendin në këtë derexhe. E dhimbshme është që unë si Kryeministër, si Kryetar i LDK-së, anëtar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor i dhjetëra mijërave studentëve të Universitetit të Prishtinës, prind dhe gjysh, t’u rrëfehem qytetarëve të mi për gënjeshtrat, dhunën dhe maltretimet politike. Por, ballafaqimi me të vërtetën pasqyron vlerat e një shoqërie”, ka shkruar ai në facebook.

Më poshtë shkrimi i plotë:

E vërteta dhemb. Më dhemb edhe mua!

Do të kisha dëshiruar që dje të shkruaj se si PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma, përfaqësuesit e turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasëve në Kuvend dhe qytetarët vlerësuan një punë me përkushtim në rritjen ekonomike stabile prej 4%, për dy vitet e fundit ( më të lartën në regjion) dhe punësimit të mbi 40 mijë njerëzve, se iu gëzuan rritjes së buxhetit të Kosovës, për herë të parë në mbi 2 miliard euro, stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjes së pensioneve; pensioneve të veteranëve të UÇK-së, Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kodit shtetëror telefonik të Kosovës, integrimit të komunave të veriut dhe zhbërjes së Mbrojtjes Civile në Veri, përmbushjes së 93 nga 94 kriteret për liberalizimin e vizave; vlerësuan se nuk e dëmtuam paranë publike gjatë kësaj periudhe dhe ndërtuam standarde të reja qeverisëse.

Me mirësjellje dhe mirëkuptim do të shkruaja se na kritikuan dhe bënë vërejtje me vend për proceset, të cilat duhet ti qojmë më shpejtë, për punësim më të madh të të rinjve dhe grave, për tërheqje më të madhe të investimeve nga jashtë, për shëndetësi më të organizuar, për arsim më të mirë, për jetë më të begatshme kulturore,… për procese më demokratike ….

Kjo nuk ndodhi, sepse ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë (djem dhe vajza të këtij vendi që shërbejnë për një pagë për të mbajtur familjet e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre). Promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotësjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës.

U hapën rrugë atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme. Me sekserë. Sepse ndryshe e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendoj politikisht. Dhe nga një rrugë normale, me mendësinë e konspiracionit, e solli vendin në këtë derexhe.

E vërteta është e dhimbshme. E dhimbshme është që unë si Kryeministër, si Kryetar i LDK-së, anëtar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor i dhjetëra mijërave studentëve të Universitetit të Prishtinës, prind dhe gjysh, t’u rrëfehem qytetarëve të mi për gënjeshtrat, dhunën dhe maltretimet politike. Por, ballafaqimi me të vërtetën pasqyron vlerat e një shoqërie. E vërteta nuk bën të harrohet. Sepse vetëm e vërteta bëhet faktor korrigjues i sjelljeve. Djallit engjëll nuk mund ti themi. Edhe Bibla edhe Kurani e pranojnë se kemi djaj dhe engjëj, por ata i ndan. Ndërkaq, njerëzit i edukojnë të bëjnë vepra të mira.