Kryeministri Mustafa: 1 Tetori 1997 dëshmoi vendosmërinë e kosovarëve

01.10.2016 18:13:51

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar protestën e organizuar nga studentët e Kosovës 19 vjet më parë, më 1 Tetor 1997.

Kryeministri Mustafa, ka thënë se kjo protestë gjithëpopullore, e organizuar dhe e udhëhequr nga studentët e pedagogët universitarë, dëshmoi në esencë vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa:

“Protesta e 1 Tetorit 1997, është një prej ngjarjeve shumë të rëndësishme në historinë e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj regjimit të Millosheviqit.

E organizuar dhe e udhëhequr nga studentët e pedagogët universitarë, ajo ishte një protestë gjithëpopullore, e cila në esencë dëshmoi vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Studentët, profesorët dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndali as dhuna e shfrenuar e regjimit kriminal për të demonstruar aspiratat e tyre dhe për t’i realizuar ato, më pas.

Sot, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, falë sakrificës dhe përkushtimit të të gjitha shtresave të shoqërisë kosovare, rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, me përkrahje të pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe vendeve tjera demokratike evropiane dhe më gjerë.”