Kryeministri Mustafa: Bashkëjetesa vlerë e rëndësishme e Republikës së Kosovës

21.04.2017 15:54:29

Kryeministri i Republikës së Kosovës mori pjesë në konferencën ceremoniale për nder të shënimit të Ditës së Komunitetit Turk.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcillar, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ambasadorë, deputetë dhe përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa uroi komunitetin turk për këtë ditë, duke iu dëshiruar suksese në të gjitha fushat, si dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për një bashkëpunim edhe më të frytshëm në të ardhmen.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa ka pritur në takim edhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Yildiz, i cili po viziton Kosovën.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përkrahjen e shtetit turk për Kosovën, duke shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve.

Zëvendësministri Yildiz, po ashtu, shprehur përkushtimin e Turqisë për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën, si dhe mbështetjen e mëtejmë të Turqisë, me theks të veçantë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në këtë ceremoni:

Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju uroj gjithë juve ditën e komunitetit turk, t’ju dëshiroj suksese në të gjitha fushat dhe poashtu të uroj për një bashkëpunim edhe më të frytshëm në të ardhmen.
Unë këtë ditë e konsideroj si ditë tonën të të gjithëve, të të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse ne ndajmë të kaluarën e përbashkët, ndajmë të tanishmen e përbashkët dhe poashtu ndajmë fatin e përbashkët për të ardhmen.
Historia e komunitetit turk është histori me shumë tradita të mira, është histori me të cilën të gjithë krenohemi, dhe poashtu është një histori e begatshme. Kjo është vlerë e jona e përbashkët, është pasuri e vendit tonë, dhe këtë pasuri jemi të përkushtuar që ta ruajmë ta pasurojmë edhe më tutje. Të vazhdojmë që mbi këto pasuri tona të përbashkëta ta ndërtojmë Kosovën demokratike, një Kosovë të fortë, të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në bashkëpunim të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova gjithnjë e më tepër po bëhet vend i mundësive të shumta për të gjithë qytetarët e saj. Komuniteti turk me përfaqësuesit e saj në institucionet e Republikës së Kosovës, në Parlament, në Qeveri, në sfera të ndryshme të jetës tonë, në biznes, në kulturë, në sport, dhe në fusha të tjera, është dëshmia më mirë se së bashku jemi në rrugë të mirë duke ndërtuar Kosovën të barabartë për të gjithë.
Duke shënuar ditën e komunitetit turk, ne sot po përkujtojmë një histori të pasur, por edhe po respektojmë një të kaluar të vështirë ku sfidat dhe problemet gjithmonë i kemi ndarë bashkërisht dhe i kemi tejkaluar bashkërisht, të gjithë ne së bashku, shqiptarët, turqit dhe të gjithë komunitetet tjera. E kemi përballuar një histori e cila nuk ka qenë e lehtë, por po ashtu, sot po e përballojmë ndërtimin e një shteti të ri, vlerave të reja dhe ardhmërisë tonë të përbashkët.
Këtë histori të mirë të Kosovës e kemi detyrë shtetndërtuese të trashëgojmë, është shembull i mirë i bashkëjetesës edhe për vendet tjera dhe për këtë ne gjithmonë jemi krenar. Prandaj, këtë vlerë të koekzistencës jemi të interesuar që ta trashëgojmë edhe te gjeneratat e ardhshme dhe do ta bëjmë vlerë të cilën ne do ta ndërtojmë.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë komunitetin turk në Kosovë në nevojat arsimore të këtij komuniteti, në nevojat kulturore, identitare. Me këtë, ne nuk respektojmë vetëm ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por dëshmojmë se ky është një akt dhe përkushtim yni dhe është një investim në ardhmërinë tonë për një shoqëri pa dallime, të cilin duhet ta ndërtojmë.

Komuniteti turk e ka vendin e respektuar në Kosovën e pavarur. Këtë vend e ka fituar vetë me punë të ndershme, me përkushtim për të ndërtuar këto institucione të qëndrueshme, prandaj me rastin e kësaj feste do të theksoja edhe vlerën dhe rëndësinë shumë të rëndësishme që e ka komuniteti turk këtu në forcimin dhe begatimin e raporteve me shtetin e Turqisë, i cili gjithmonë e ka përkrahur ndërtimin ekonomik dhe social të Kosovës dhe dëshirojmë që këto marrëdhënie të jenë shumëdimensionale dhe poashtu të jenë në interes të zhvillimit ekonomik, kulturor edhe të komunitetit turk këtu.

Konsideroj se sot kemi shumë arsye të festojmë së bashku, sepse së bashku kemi sfida të përbashkëta, të cilat duhet t’i tejkalojmë. Kemi objektiva që i kemi synuar bashkërisht t’i arrijmë. Prandaj, duke ju uruar Ditën e Komunitetit Turk, dëshiroj edhe njëherë të shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojmë për të ofruar mundësi të reja dhe të barabarta zhvillimore për të gjithë dhe qasje pa dallime në ndarjen e të gjitha të mirave që i kemi bashkërisht dhe në begatimin e këtyre të mirave.

Urime dhe suksese!

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës