Kryeministri Mustafa dënon aktet terroriste në Stamboll

01.01.2017 14:14:27

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dënon ashpër sulmin e tmerrshëm terrorist që ndodhi në Stamboll në orët e para të vitit 2017, ku mbetën të vdekur dhjetëra njerëz dhe shumë të tjerë u plagosën.

Me këtë rast, kryeministri shpreh dhimbjen e pikëllimin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për viktimat, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, për Qeverinë turke dhe vendet tjera të prekura nga ky sulm.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, thekson se këto akte dëshmojnë se terrorizmi po vazhdon të godasë pa mëshirë, duke mos zgjedhur mjete, me qëllim që të rrezikojë vlerat e botës demokratike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë kontributin e saj maksimal në angazhimet e botës demokratike kundër çdo forme të terrorizmit, të cilat cenojnë vlerat tona të përbashkëta dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve të pafajshëm”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.