Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se pret që marrëveshja për demarkacion të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të opozitës. Kjo pasi, sipas tij, kauza për “kundërshtim është vërtetuar e paqëndrueshme”.
Mustafa tha se është në përgjegjësinë e deputetëve që të vendosin, por vlerësoi se nuk ka asnjë “arsye që deputetët të mos e përkrahin Marrëveshjen, duke mundësuar forcimin e sovranitetit të vendit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE”.
Ai përjashtoi mundësinë e futjes së Kosovës në një cikël dhune politike, megjithëse e cilësoi sulmin mbi Kuvendin e Kosovës si “atak shumë të rëndë dhe kundër pavarësisë së vendit”.
“Kufiri është vënë sipas Kushtetutës, sipas planit Ahtisaari dhe sipas kohës kur është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës. Qëndrojmë prapa kësaj”, ka thënë ai. “Jam shumë i bindur se Qeveria e ka bërë punën mirë, komisioni e ka bërë punën mirë, prandaj është në përgjegjësinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ata të vendosin lidhur me këtë. Përkundër kauzës politike të cilën e ka krijuar opozita, veçmas Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kjo kauzë është vërtetuar e paqëndrueshme, sepse nuk ka asnjë element se Kosova ka humbur territor nga ajo çka kemi administruar në vitet e ‘70-ta. Pres që të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.