Kryeministri Mustafa ia ka treguar vendin Vuçiqit, kurse Hashim Thaçi e ka pyetur për ushtrinë

16.03.2017 16:51:50

Nga Rexhep Kastrati

Kryeministri Mustafa, dje para se të nisej për në Bosnjë nëshkroi një vendim për pronat në Kosovë, kurse në mbrëmje, në një darkë që u shtrua në Sarajevë,  u ul përball Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës. Ishte e qartë se vendimi i nënshkruar nga kryeministri Mustafa për pronat, do ta bënte darkën interesante dhe me temperaturë, pasi që Vuçiqit dhe në përgjithësi zyrtarëve serbë desh u kish rënë pika nga marazi. Dhe nuk ishte hera e parë që Serbisë desh u binte pika nga marazi. Vetëm gjatë këtyre dy muaj e gjysëm të këtij viti, Serbia u ballafaqua me vendime të qarta dhe të vendosura të kryeministrit Mustafa dhe të Qeverisë: 1. për herë të parë presidentit të Serbisë iu ndalua hyrja në Kosovë; 2. me kërkesë të ministrit të Infrastrukturës, Zharku, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion të organizuar që të mos lejonte trenin provokativ serb të futej në Kosovë, dhe e detyroi Serbinë që ta ndalte në Rashkë; 3. dora e zgjatur e Serbisë, Rakiq u detyrua të rrënonte murin ndarës. Natyrisht, miratimi i ligjit për “Trepçën” dhe për investime strategjike vitin  e kaluar, përbën një arsye madhore që zyrtarëve të Serbisë t’u bjerë pika nga marazi, sepse është një ndërmarrje ligjore jetike për Kosovën, dhe një nga arsyet kryesore të shovenizimit serb ndaj Kosovës.

Dhe në këtë kontekst, vendimi i djeshëm i kryeministrit Mustafa për pronat, kishte arritur kulmin dhe zyrtarët e Serbisë u frustruan maksimalisht. Këtë e shprehu edhe Marko Gjuriq, dhe nuk kishte si të mos e shprehte edhe Vuçiq në një darkë në të cilën, fatkeqësisht kryeministri i shtetit i shtetit shqiptar u pa të ishte në krah të Vuçiqit, e jo të kryeministrit Mustafa. Frustrimi i Vuçiqit u shpreh në mënyrën e komunikimit me kryeministrin Mustafa dhe ishte një komunikim i tipit të kallashit dhe të ndonjë tjetër armë. Duket se edhe fakti se përballë kishte kryeministrin Mustafa e jo Hashim Thaçin, ka ndikuar që frustrimi të jetë edhe më i madh. Dhe përballë Vuçiqit dhe frustrimit të tij, kryeministri Mustafa iu përgjigj me qetësi: ” Për Kosovën nuk pyetet Serbia që nga viti 1999!”. Uh pika që nuk i ra Vuçiqit si nga përgjigjia, ashtu edhe nga qetësia e kryeministrit Mustafa. Dhe kjo ishte një fitore e fuqishme kryeministrit Mustafa dhe e Kosovës përballë Vuçiqit dhe Serbisë.

Mirëpo, të kundërtën e ka bërë dhe po e bën Hashim Thaçi, i cili asnjherë nuk ka pushuar së pyeturi Serbinë për vendimet që duhet të merren në Kosovë, dhe i cili e ka pyetur edhe për ushtrinë, ndërkohë që nuk ka pyetur institucionet e shtetit të Kosovës, as partnerët tanë strategjikë në krye me SHBA-të, duke e paraqitur dhe dëshmuar veten si dorë të Serbisë dhe që më mirë konsultohet me të sesa me institucionet shtetërore të Kosovës, ndërkohë që lëshonte akuza të rënda ndaj LDK-së se gjoja ajo paska penguar transofmimin e FSK-së në FA.

Dhe këtu bën dallim filozofia politike shtetërore, sovrane dhe kombëtare, nga filozofia vazale, e të nënshtruarit dhe e nëpërkëmbësit të shtetit. Kryeministri Mustafa vazhdimisht është sjellë dhe sillet si burrështetas që respekton rendin kushtetues-institucional të shtetit kryeministër i të cilit është, kurse Hashim Thaçi vazhdon vazalitetin ndaj Serbisë, me takime të fshehta, me telefonata dhe me marrëveshje të fshehta apo të hapura në dëm të Kosovës. Në anën tjetër, derisa kryeministri Mustafa merr vendime të rëndësishme dhe në të mirë të vendit,por nuk hiperbolizon komunikimin, Hashim Thaçi kryesisht ka marr vendime të dëmshme për vendin, e jo vetëm që i ka hiperbolizuar, por edhe i ka paraqitur si vendime historike. Dhe karakteri dëmtues i vendimeve që ka marr Hashim Thaçi është refelktuar edhe në pozitën e Kosovës, por edhe në rritjen e shqetësimeve të aleatëve për këtë.

Deklarata e ambasadores amerikane, Trajesi An Xhekobson, në dhjetor të 2013, se duhet të kihet kujdes se mos po krijohet “Republika Srpska” në Kosovë, ishte shprehje e shqetësimit amerikan për shkak të vendimeve të dëmshme që Hashim Thaçi merrte, e pse jo edhe të pazareve të fshehta që bënte me Serbinë qoftë në takime, qoftë edhe në biseda telefonike. Dhe siç e kam thënë edhe më herët sot, edhe nisma ligjore për FSK-në është një nga vendimet e tilla, që është bërë në konsultim me Vuçiqin, por jo edhe me institucionet e Kosovës dhe me aleatët tanë strategjikë në krye me SHBA-të dhe me NATO-n.

Kryeministri Mustafa në anën tjetër, përveç respektimit të rendit kushtetues-institucional, përveç interesave strategjike të shtetit të Kosovës, për vendime të rëndësishme dhe të mëdha është në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë. Prandaj, edhe Vuçiq në kulmin e frustrimit të tij, e pyet kryeministrin Mustafa se me kë kishte ardhur, në kuptimin se vendimin për pronat a e kish marrë krye më vete, apo në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, duke lënë për të kuptuar se Hashim Thaçi shumë herë të tjera, mund të jetë ulur me Vuçiqin apo edhe Daçiqin krye më vete dhe pa u konsultuar me institucionet e tjera të Kosovës dhe me partnerët tanës strategjikë.

Tashmë maskat kanë rënë dhe është e qartë se mbrapa retorikës patriotike, emocionale dhe hiperbolizuese të hashim Thaçit dhe të tjerëve si ai, fshihen vendime, pazare dhe qëllime të dëmshme për Kosovën, dhe mbrapa akuzave ndaj LDK-së për çështje të ndryshme, fshihet përpjekja për të fshehur përgjegjësinë e tij dhe të tjerëve si ai për veprimet e tyre.

Aleatët tanë strategjikë e kanë kuptuar këtë shumë moti, por tashmë edhe populli  i ka gjërat më të qarta.