Kryeministri Mustafa: “Kosova shumë shpejt, kalon pragun ndërkombëtar të varfërisë”

11.02.2017 17:21:33

Kryeministri Mustafa ka postuar në profilin e tij në facebook fjalimin e mbajtur në Konferencëm Vjetore me Bizneset në temën “Ambienti i Biznesit 2017”.

Më poshtë mund ta ndiqni postimin e plotë me gjithë fjalimin në fjalë:

“Rrahagjoksit se jemi vendi më i varfër e më i pazhvilluar duhet të gjejnë temë tjetër. Kosova e ka marrë rrugën e qartë të zhvillimit ekonomik dhe të integrimeve evropiane.
Sot u mbajt Konferenca Vjetore me Bizneset në temën “Ambienti i Biznesit 2017”. Po ua prezantoj fjalën dhe qëndrimet e mia në këtë Konferencë.
I.
Po e filloj fjalën time në mënyrë pak të pazakontë.
Të shpreh mospajtimin tim të thellë me ata që, për arsye të ndryshme, ndjejnë kënaqësi duke konstatuar se Kosova jonë është shteti më i pazhvilluar, shteti me papunësinë dhe varfërinë më të madhe, shtet me korrupsionin më të lartë, shtet me arsimin më të keq. Nuk shohin asgjë të bardhë në këtë vend, ndërkaq vet i kanë punët më së miri.
Të konstatoj, po ashtu se ne kemi përqafuar ekonominë e tregut të bazuar në iniciativën private. Por, se akoma kemi problem jo pak me mendësinë socialiste, sidomos në sektorin e punësimit. Shumica nuk e trajtojnë veten tamam të punësuar nëse nuk janë të punësuar në sektorin publik, ku pagat janë më të larta, siguria në punë është më e madhe, mundësitë për të mos punuar dhe abuzuar janë më të mëdha. Ndryshe në sektorin privat, efiçenca në punë është më i madhe, të ardhurat rriten sipas rezultateve të arritura në treg; ballafaqimi me riskun dhe konkurrencën është evident.
Dallimet në paga ndërmjet sektorin publik dhe privat, po ashtu kanë ndikuar negativisht në tregun e punës.
Kosova shumë shpejt, kalon pragun ndërkombëtar të varfërisë, duke u cilësuar si vend me të ardhura të mesme. Prandaj, jam i bindur se pa hyrë në pjesën e dytë të këtij viti, sipas kritereve të Bankës Botërore, nuk do të kemi argumente (të rrahim gjoks) ta konsiderojmë veten vend i varfër e as që do të kemi të drejtë të shfrytëzojmë fondet nga organizatat të cilat destinohen për vende të varfra.
I.
Ambienti në të cilin zhvillohet jeta ekonomike në Kosovë nuk varet vetëm nga masat e politikave makroekonomike tek ne, por varet nga segmentet e tregut në regjion, nga politikat ekonomike në BE dhe më gjere.
Fillimi i implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, paraqet hapat e parë të daljes së vërtetë të ekonomisë sonë nga lëvozhga e një ekonomie lokale në një ekonomi e cila operon karshi ekonomive tjera në tregun e Bashkimit Evropian, me të gjitha të mirat dhe risqet që paraqiten në këtë rrugë.
Dhe ne pa hezituar mund të konstatojmë se jemi vendi i fundit i tranzicionit, pra vendi që dhjetë vjet më vonë, për arsye të okupimit dhe luftës kemi hyrë në ekonomi të tregut; se akoma nuk kemi përfunduar me procesin e privatizimit dhe se shumë prona janë jashtë përdorimit ekonomik; se për kaçikun tonë, kemi një shumë të madhe parash, rreth 1.9 miliard euro të Fondit të Privatizimit dhe të Trustit të Kursimeve Pensionale ( që janë 31% e GDP-së), e të cilat qëndrojnë jashtë funksionit ekonomik, ndryshe për masën e tyre zvogëlohet kërkesa agregate në treg dhe nxitja e prodhimit të brendshëm; se në investimet kapitale dominon infrastruktura rrugore, ku kthimi nga investimi është i gjatë dhe efektet në punësim krejtësisht indirekte; se kemi një bilanc tregtar shumë negativ me pjesëmarrje të madhe të importit edhe të produkteve të cilat mund ti prodhojmë dhe zëvendësojmë vet. Por se janë këto procese të cilat duhet ti kalojmë.
Dhe ne këtu jemi ata që mund ta bëjmë ndryshime.
II.
Them se ne mund të shënojmë procese të suksesshme, sepse çdo ditë e më tepër ju bizneset po tregoheni ndërmarrës të aftë dhe të suksesshëm.
Për më tepër më gëzon fakti që kemi arritur të krijojmë një koalicion të përbashkët në ndërtimin e politikave ekonomike, që është për tu vlerësuar në veçanti.
Prandaj ne sot mund të krenohemi se kemi një rritje të qëndrueshme ekonomike. Jo atë që e synojmë dhe që na nevojitet por një rritje progresive që matematikisht prodhon rritje mbi rritje.
Duhet të theksoj se në vitin 2015 dhe 2016, rritja reale e ekonomisë ka arritur në 4%. Duhet të theksoj po ashtu se kjo rritje nuk bazohet në investimet në sektorin publik, ashtu siç ka qenë rasti më herët por kryesisht gjeneron nga sektori privat, pra është rritje e qëndrueshme. Krahasuar me rritjen tonë ekonomike mesatare prej 4%, vendet e rajonit në këto dy vite, kanë pasur normë reale të rritjes prej mesatarisht 2.9%.
Bazuar në vlerësimet të cilat do ti prezantoj në vijim, pres që rritja ekonomike në vitin 2017 mund të arrijë në 5%.
Produktet tona, shikuar nga cilësia, dizajni, mënyra e prezantimin nuk mbesin fare mbrapa produkteve të vendeve të BE-së. Shërbimet tregtare, filluar nga infrastruktura dhe objektet tregtare, po ashtu janë konkurruese dhe të krahasueshme me vendet e tjera.
Infrastruktura rrugore tejkalon atë të disa nga vendet fqinje. Roli i autostradës Ibrahim Rugova që na lidh me Durrësin dhe Shqipërinë po rritet dita ditës, kurse hapja e saj me Serbinë do të krijojë korridore të daljes në vendet e Evropës qendrore dhe veriore; Autostrada tjetër për Shkup po bëhet arterie shumë e rëndësishme për lidhje me Maqedoninë, Greqinë, Turqinë dhe vendet aziatike. Rekonstruktimi i hekurudhës, për çka kemi siguruar fondet e nevojshme do të jetë një resurs i rëndësishëm infrastrukturor për transport më të lirë të mallrave dhe udhëtarëve dhe për lidhje me botën.

III.
Të nderuar pjesëmarrës,
Gjatë kësaj periudhë kemi lidhur shumë marrëveshje për financim të projekteve të ndryshme me shumë nga vendet perëndimore, me Gjermaninë, Austrinë, Francën, Zvicrën, Luksemburgun, Suedinë; kemi përgatitur marrëveshje me Hungarinë, janë në vijim marrëveshjet me Italinë. Kemi arritur të plotësojmë kushtet për të qëndruar në programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të përfitojmë nga financimi nga ky fond, nga Banka Botërore, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Evropiane për Investime dhe nga Banka Gjermane për Zhvillim.
Me shtetet e Bashkuar të Amerikës do të ndërtojmë Termocentralin Kosova e Re, një investim prej mbi një miliard euro. Po e realizojmë një projekt të veçantë me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit të SHBA-ve. Të gjitha këto marrëveshje dhe ky bashkëpunim flet qartë se ne jemi orientuar që zhvillimin tonë ekonomik ta lidhim me shtetet perëndimore.
Orientimi ynë ekonomik është evropian dhe amerikan, politikat tona ekonomike janë politika që vlerësojnë tregun dhe kushtet e tregut por edhe kanë kujdes për refleksionet e tyre sociale.
Për herë të parë, kjo qeveri e koalicionit, ka një buxhet zhvillimor me rritje të investimeve kapitale për rreth 50% në krahasim me vitin që e lamë pas. Investime të cilat në mënyrë direkte apo indirekte do të kenë efekte në angazhimin e bizneseve dhe të punësimit.
Kritikuesit do të thonë, çfarë buxheti ky i cili bazohet edhe në huazime. Por logjika ekonomike thotë se për sa më shpejtë ne investojmë në infrastrukturën publike, në arsim e shëndetësi si investime produktive, për aq më shpejt do të kemi kthim nga këto investime dhe kushte për rritje më të hershme dinamike ekonomike. Po ashtu duhet të kemi parasysh se investimet përmes kreditimit, në rrethana stabile ekonomike, krijojnë kushte që fitimi në asetet vetanake të jetë më i madh.
Jemi të interesuar, po ashtu, të shpejtojmë procesin e privatizimit. Unë dëshiroj që me këtë rast të përgëzoj një punë të mirë që po e bën bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Ne bashkërisht do të identifikojmë projektet dhe pasuritë për të cilat do të kërkojmë investitor strategjik, sipas ligjit për investime strategjike.
Edhe sektori bankar gjithnjë e më tepër po përshtatet me nevojat e kreditimit të bizneseve, veçmas prodhimit, si në pikëpamje të normave të interesit po ashtu edhe të afatit të kreditimit dhe kushteve të kolateralit. Ndërkaq risku i moskthimit të kredive është në rënie.
IV.
Kemi intensifikuar agjendën e reformave, tani po punojmë në pakon e dytë fiskale, që ka për qëllim barazimin e kushteve të afarizmit. Rezultatet e këtyre reformave janë njohur nga Raporti i të Bërit Biznes i Bankës Botërore. Ky raport, e renditë Kosovën për disa vende më lartë në krahasim me vitin e kaluar, për lehtësinë e të bërit biznes. Do të vazhdojmë edhe më tej për të lehtësuar të bërit biznes në të mirë të ndërmarrjeve që operojnë dhe atyre që do të hapen si biznese të reja.
Mendoj se këto reforma kanë reflektuar edhe në numrin e bizneseve të reja që janë hapur gjatë këtyre dy viteve.
Janë 10.549 biznese të reja që janë hapur vetëm në vitin 2016, një numër i rëndësishëm i tyre në bujqësi, në sektorin prodhimit dhe në teknologjinë informatike.
Sipas të dhënave të Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, dhe sipas analizave krahasuese ndër vite, shihet qartë një rritje e vazhdueshme e regjistrimit të bizneseve duke arritur numrin rekord të bizneseve të regjistruara prej 10,549 në vitin 2016, ndërsa shuarja vullnetare e bizneseve është bindshëm më e vogël (në total në vitin 2016 janë 2,379 biznese të shuara), që i bie të jetë rreth 22% në raport me Bizneset e Regjistruara.
Mund të konstatojmë se Kosova është duke përjetuar një trend normal të krijimit dhe zhvillimit të bizneseve të reja por edhe të shuarjes së tyre. Në qoftë se iu referohemi të dhënave në rajon, atëherë rezulton se gjatë vitit 2016 në Serbi janë shuar 84% e bizneseve në krahasim me ato të regjistruara, në Mal të Zi, 72%, në Maqedoni 63%, në Kroaci janë shuar për 26% më shumë se sa janë regjistruar, pra ka ecuri negative, sikurse edhe në Slloveni. Edhe në Gjermani janë shuar 67% në krahasim me bizneset e regjistruara.
Investimet e Huaja Direkte gjatë dy viteve të fundit kanë pasur performancë relativisht të mirë. Në vitin 2015 Investimet e Huaja kanë arritur në rreth 320 milionë euro, ndërsa për vitin 2016, këto investime arritën në mbi 220 milionë euro ose rreth 4.5% e si pjesëmarrje GDP-së. Kjo e bënë Kosovën si vend me performancë mesatare në rajon. Mali i Zi dhe Shqipëria kanë pasur performancë më të mirë, ndërsa Bosnja e Hercegovina e Maqedonia, performancë më të dobët se Kosova për investime të huaja. Kemi shembuj kur investitorë nga vendet e tjera po fillojnë ti zhvendosin investimet e tyre tani në Kosovë.
Kemi ngecur me liberalizimin e vizave. E di që kjo ju dëmton shumë juve bizneseve, e di që i dëmton shumë qytetarët e Kosovës dhe po ashtu e di që i kanë bërë keq llogaritë deputetët të cilët po e kundërshtojnë dhe po e pengojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave.
V.
Të gjitha ekonomitë në tranzicion, por jo vetëm këto, kanë një ballafaqim të rëndë me korrupsionin. Me këtë dukuri ballafaqohemi edhe ne. Janë shqetësuese raportet që flasin për korrupsionin tek ne.
Në raportin e fundit të organizatës Transparency International, raportohet se 65% e qytetarëve tanë e shohin korrupsionin si problemin kryesor në vend. Në anën tjetër qytetarët në Kosovë shprehen se 10% e tyre janë ballafaquar me kërkesë direkte për mito në shërbime të ndryshme. Perceptimi dhe realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në harmoni.
Si kryeministër i Kosovës edhe sot ju bëj ftesë të gjithë juve biznesmenëve por edhe mediave, shoqërisë civile, qytetarëve që të paraqitni çdo pengesë dhe kërkesë korruptive e cila eventualisht iu paraqitet nga zyrtarët shtetëror. Ne korrupsionin duhet ta luftojmë për aq sa ai ekziston dhe aty ku ekziston. Nuk guxojmë të lejojmë që korrupsioni të jetë pengesë e zhvillimit tonë ekonomik, e tërheqjes së investimeve të huaja dhe e besimit në institucione.
VI.
Punësimi si një objektiv tjetër i yni mbetet me prioritet të lartë. Por në punësim kemi edhe rezultate të pamohueshme. Brenda dy viteve norma zyrtare e papunësisë, sipas të dhënave statistikore ka rënë nga rreth 35% në vitin 2014 në 26% në vitin 2016.
Për dy vite, janë krijuar mbi 40.000 vende të punës. Shumica nga këto, vende të reja pune. Megjithatë, bindja ime është se papunësia është edhe më e ulët dhe se ka edhe më shumë vende pune, sidomos në sektorin e bujqësisë, për të cilin edhe Anketa e Fuqisë Punëtore por edhe ATK ka vështirësi të i identifikojë. Statistikat zyrtare njohin rreth 10.000 vende ekzistuese në bujqësi, por vlerësimet tregojnë se kjo shifër është diku në rreth 80.000 vende pune në këtë sektor. Po investohet shumë në bujqësi dhe kemi kultura të reja bujqësore. Mirëpo, po ashtu vërehet mungesë e punëtorëve në disa regjione në bujqësi. Aktualisht, janë 111 mijë persona që janë të regjistruar si punëkërkues në zyrat e punësimit. Kjo shifër është ulur edhe si rezultat i mijëra ndërmjetësimeve të vendeve të punës nga MPMS-ja.
Mund të presim këtë vit edhe 25 mijë vende të reja të punës, pa llogaritur numrin të cilin e theksova në bujqësi, si dhe uljen e normës së papunësisë nën shifrën 20%.
VII.
Të nderuar pjesëmarrës,
Tani po punojmë në Agjendën e Reformave Evropiane.
Kemi shumë punë me bërë dhe kemi shumë shanse të punojmë bashkërisht. Kemi për qëllim ta:
– Rrisim konkurrueshmërinë;
– Ta forcojmë shtetin ligjor dhe ta luftojmë korrupsionin;
– Ta shtojmë punësimin me një lidhje më të mirë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.
Kjo agjendë na qon më afër Bashkimit Evropian.
Rruga më e mirë për BE është fuqizimi i sektorit privat.
Keni përkrahje të plotë. Suksese”