Kryeministri Mustafa: Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës!

Kryeministri Mustafa: Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës!

26.03.2017 18:03:34

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar masakrën në Krushë të Rahovecit dhe në Suharekë. Ai ka thënë se bota demokratike duhet ta detyrojë Serbinë që t’i dënojë të gjithë kryesit e krimeve.

“Me dhimbje të madhe, përkujtojmë sot dy prej masakrave më të rënda që populli ynë përjetoi 18 vjet më parë.

Mbi 240 bashkëqytetarë tanë, fëmijë, gra e burra, u vranë më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit.

Ndërkaq, në Suharekë, Familja 50 anëtarëshe Berisha, u masakrua nga forcat serbe.

Qytetarët e Kosovës nuk do t’i harrojnë kurrë të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jemi të lirë.

Bota demokratike, ashtu siç i bombardoi forcat serbe 18 vjet më parë, duhet ta detyrojë shtetin serb, që të dënojë të gjithë kryesit e krimeve, të zbardh fatin e të pagjeturve dhe të kërkojë falje për krimet e panumërta në Kosovë.

Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës!”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.