Kryeministri Mustafa: Majlinda është e artë, Kosova është e artë!

07.08.2016 22:36:31

Edhe kryeministri Mustafa ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook, pasi që Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në lojërat olimpike në Rio, me çka Kosova e ka bërë atë që shtete të tjera “nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra viteve pjesëmarrjeje në Lojëra Olimpike”.

Kryeministri Mustafa, edhe një herë shpreh bindjen, sikurse më parë, “se medaljet do të jenë t pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim”.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa:

“Atë që shumë shtete nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra vjet pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike, Kosova jonë e dashur, me heroinën e saj brilante, Majlinda Kelmendin, e bëri që në olimpiadën e parë.

Kosova fitoi sot medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim.

T’i gëzohemi së bashku këtij momenti historik.
Majlinda është e Artë, Kosova është e Artë!”