Kryeministri Mustafa: Ministri i Gjermanisë ishte i qartë, duhet ta ratifikojmë demarkacionin

13.04.2017 11:39:06
Kryeministri Kosovës, Isa Mustafa pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel ka thënë se kryediplomati gjerman ishte i qartë rreth çështjes së liberalizimit të vizave. Prandaj, sipas Mustafës Kosova patjetër duhet ta ratifikoj demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që të ndodhë liberalizimi.

“Prita sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili na e konfirmoi përkrahjen e parezervë të Gjermanisë për Kosovën dhe popullin e saj. E falënderova për kontributin e shumanshëm të Gjermanisë në të gjitha fazat dhe për përkrahjen aktuale që po jep në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese, avancimin e stabilitetit në rajon dhe shumë fusha të tjera”, ka shrkaur Mustafa në profilin e tij në “Facebook”, transmeton lajmi.net

Ai më tej ka thënë se Gjermania është në mesin e partnerëve strategjik të Kosovës.

“Biseduam edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe përkrahjes së Gjermanisë në këtë proces, me ç’rast mesazhi i zëvendës kancelarit Gjerman ishte i qartë dhe mbështetës. Ne duhet ta miratojmë në Kuvend Marrëveshjen e shënjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duke i hapur udhë qytetarëve tanë për lëvizjen e lirë në vendet e BE-së. Gjermania është një prej partnerëve kryesor strategjik të Republikës së Kosovës dhe miqësia ndërmjet dy vendeve është vazhdimësi e marrëdhënieve shumëvjeçare të dy popujve tanë”, ka përfunduar Mustafa.