Kryeministri Mustafa: Nuk ka asnjë arsye që deputetët serbë mos ta votojnë transformimin e FSK-së

13.12.2016 17:09:25

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përveç një ligjërate që ka mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka” dhe vizitës që ka bërë në komunën e Gjilanit e ka vizituar edhe kazermën “New Born” të Batalionit të Parë të Reagimit të Shpejtë të FSK-së.

I entuziazmuar me atë që pa në këtë batalion, kryeministri Mustafa tha se FSK-ja është një forcë e cila çdo sekondë është e gatshme të bëhet ushtri.

Ai tha se është tepër i kënaqur kur e sheh Forcën e Sigurisë në një gjendje të tillë gatishmërie.

“Të rinjtë të cilët kanë arritur rezultate të mrekullueshme në çdo vend ku kane qenë, trajnim, edukim, gara të ndryshme, e kanë përkrahjen e plot të Qeverise se republikës së Kosovës. Është një forca e cila cdo minutë, çdo sekondë është e gatshme të ndërrohet ose transformohet në ushtri të Kosovës, përkatësisht në FAK. Mbetet vetëm vendimmarrja politike ku edhe ministri Demolli tha se ne duhet ta kapërcejmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se për transformimi është në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe të popullatës jo shumicë, veçmas kur rreth 17 përqind të këtij Batalioni janë pjesëtarë nga popullsia jo shumicë, 10 përqind nga komuniteti serb dhe 7 përqind nga komunitetet tjera.

 Kjo sipas tij flet, për një interesim të komuniteteve për t’u bërë pjesë e FSK-së dhe nesër pjesë e Forcës së Armatosur të Kosovës.

Mustafa ka folur edhe për atë se deputetët serbë duhet ta votojnë transformimin e FSK-së në FAK në Kuvend të Kosovës. Sipas tij nuk ka asnjë arsye që deputetët e Listës Serbe të mos ta votojnë transformimin e FSK-së.

“Duhet ta kemi edhe atë votë sepse duhet të kemi edhe të deputetëve serb edhe deputetëve tjerë . Ne kemi punuar kemi biseduar edhe me ta në periudhën e kaluar dhe do vazhdojmë të bisedojmë dhe nuk ka asnjë arsye që deputetët të mos ta votojnë transformimin”, tha Mustafa.

Ndërsa ministri i FSK-së Haki Demolli e njoftoi kryeministrin Mustafa për të arriturat dhe sukseset e FSK-së në veçanti gjatë vitit 2016, dhe po ashtu shfrytëzoi rastin që ta falënderojë për shkresën të cilën NATO-s ia ka dërguar kohë më parë për të cilën ka marrë përgjigje pozitive e cila sipas tij hap rrugën për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe NATO-s.

Përgjigja pozitive nga NATO hap rrugën për intensifikimin e marrëveshjes së FSK-së dhe NATO-s.Shpresojmë që ky bashkëpunim do të jetë një hap më tutje në përgatitjen e FSK-së, për transformimin në FAK, kuptohet se edhe ne tashmë jemi të gatshëm vetëm presim vendimmarrjen politike në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli.

Pjesëtarët e FSK-së të këtij Batalioni para kryeministrit Mustafa demonstruan edhe disa prej shkathtësive dhe pajisjeve personale të njësive të kompanisë .