Kryeministri Mustafa: Raporti i fundit i Transparency International dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv janë dëshmi të rëndësishme të progresit të Kosovës

25.01.2017 18:17:28

Kryeministri Mustafa, nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar rezultatet e Transparency International lidhur me shkallën e korrupsionit në Kosovë gjatë vitit 2016.

Siç dihet tashmë në raportin e tij të fundit, Transparency International ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.

Po ashtu, në postimin e tij, kryeministri Mustafa ka vlerësuar edhe qëndrimin e fundit të CAS lidhur me ankesën e Federatës së Futbollit të Serbisë për pranimin e Federatës  së Futbollit të Kosovës në UEFA. CAS ka vlerësuar se ankesa e Serbisë është e padrejtë dhe e papranueshme dhe nuk e ka marrë në shqyrëtim, duke mos e cënuar vendimin e UEFAS për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë organizatë sportive.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa:

“Raporti i fundit i Transparency International dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv janë dëshmi të rëndësishme të progresit të Kosovës.

Përkushtimi i jashtëzakonshëm i Qeverisë së Kosovës po reflekton në raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare.

Përmirësimi i renditjes së Kosovës në rapotin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive.

Jam i bindur se Kosova sot meriton të jetë e renditur edhe disa dhjetëra vende më mirë në këtë raport, por ne do të rrisim edhe më tutje angazhimin që ta bëjmë Kosovën shembull të luftës kundërkorrupsionit në rajon.

Rezultatet në këtë drejtim na u konfirmuan edhe nga partnerët e BE-së, të cilët tashmë konsiderojnë se Kosova e ka përmbushur edhe kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për procesin e liberalizimit të vizave.

Edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv e cila ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA, ka rëndësi të madhe për ne.

Ky vendim konfirmon Kosovën në familjen evropiane dhe botërore të futbollit.

Duke pas parasysh dashurinë që qytetarët e Kosovës kanë për futbollin dhe nevojës për avancimin e infrastrukturës, para pak ditësh u miratua projekti për Ndërtimin e Stadiumit Nacional të Futbollit në periferi të Prishtinës.

Qeveria e Kosovës do të rris edhe më tutje përkrahjen për të gjitha sportet, të cilat gjatë vitit që lam pas na bën aq shumë krenar.”