Kryeministri Mustafa reagon pas kundërshtimeve për matjen e territorit

07.12.2016 19:33:29

Kryeministri Mustafa ka reaguar pas refuzimit të propozimit për matjen e territorit, nga ana e atyre që thoshin se Kosova po humb 8000 hektarë territor. Në një postim në facebook, kryeministri shtron pyetjen: nëse Kosova nuk paska kufij, siç thonë ata, si e matën territorin e Kosovës dhe të akuzojnë se po humb territor.

“Qytetarë të nderuar,

Ata që trumbetonin dhe gati e dogjën Kosovën se po humbim mbi 8 mijë hektarë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sot po dalin kundër matjes së territorit, sepse sipas tyre Kosova nuk ka kufij. Shtrohet pyetja se si e matën ata Kosovën (pa kufij) për të akuzuar se po humb territor, nëse kjo matje nuk qenka e mundur të bëhet.

Kosova i ka kufijtë e trashëguar, prandaj  të ashtuquajturit  ekspertë  të  gënjeshtrave  dhe zëdhënës të kauzës së rrejshme politike janë sfiduar dhe kanë ardhur ngushtë me iniciativën për matjen e territorit të Kosovës.  Këta po ia bëjnë një dëm të madh sovranitetit shtetëror të Kosovës! IM” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.