Kryeministri Mustafa thotë se anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Doganave është dëshmi e pjekurisë shtetërore

01.04.2017 16:11:41

Kryeministri Mustafa: Kosova me hapa të sigurt drejt organizatave kryesore globale.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, si dhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, përfaqësuesi i BE-së, drejtori i Doganave, përfaqësues të ATK-së, të bizneseve dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve, tha se Kosova ngadalë por sigurt po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale.
“Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Doganave është dëshmi e pjekurisë shtetërore dhe ndërtimit të institucioneve të afta dhe kredibile të Kosovës ashtu siç është Dogana e Kosovës. Unioni Botëror i Doganave si qendër e njohur globale, e ekspertëve doganorë, luan një rol prijës në diskutimin, zhvillimin, promovimin, implementimin e sistemit modern të doganave dhe të procedurave moderne doganore. Ne kemi një administratë të aftë dhe kredibile doganore, ndër më të përgatiturat në këtë pjesë të Evropës dhe jo vetëm në regjion. Prandaj, unë konsideroj se kemi çka të ofrojmë dhe kemi çka të marrim nga ky Union Doganor”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se duke qenë anëtare e kësaj organizate të rëndësishme, Kosova ka mundësi që edhe më tutje të rris efiqiencën dhe aktivitetin e administrimit të doganave, të arrijë objektivat në rritjen e të ardhurave që i vjel përmes doganave, të arrij objektivat në sigurinë nacionale, lehtësimin tregtar, mbrojtjen e komunitetit dhe në konsolidimin e statistikave tregtare.
“Kjo është me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, për implementimin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për avancimin e raporteve me komunitetin ndërkombëtar siç janë raportet tregtare dhe ekonomike me të gjithë anëtarët e kësaj konvente që tash jemi 181. Konsideroj se nuk ka rast më të mirë se ky sot kur po shënojmë njëvjetorin e fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të promovojmë edhe këtë sukses shumë të madh tonin”, tha kryeministri, duke falënderuar ministrin e Punëve të Jashtme, z. Hoxhaj, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Financave për punën e mrekullueshme që kanë bërë që edhe Doganat e Kosovës të jenë anëtare e kësaj organizate shumë të rëndësishme.
Kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një marrëveshje e parë kontaraktuale me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova me këtë marrëveshje ka marrë për obligim që të përmbush kriteret e Kopenhagës.
“Besoj fuqishëm se Kosova ka vizion dhe ka përkushtim dhe dije për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen para nesh si ato politike, ekonomike, legjislative, dhe ne nuk do të ndalemi me këtë. Ne po përgatitemi së bashku me institucionet tona që të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në familjen në të cilën ne konsiderojmë se i takojmë”, tha kryeministri Mustafa, duke thënë se institucionet kanë për obligim t’i përmbushin synimet dhe aspiratat e qytetarëve që ata së shpejti të jenë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian dhe të marr përgjegjësitë në këtë familje.
Kjo para së gjithash, siç tha kryeministrit Mustafa, sepse edhe qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë, kanë kulturë dhe sjellje evropiane, jetojnë në Evropë dhe Bashkimin Evropian e shohin si pjesë të shtëpisë së tyre.
“Si kryeministër i vendit nuk shoh asnjë arsye normale dhe logjike që qytetarët tanë të vazhdojnë të jenë të izoluar, të vetmit në Evropë me regjim të vizave. Nuk ka asnjë kauzë politike dhe asnjë luftë politike që e arsyeton mbajtjen peng të qytetarëve tanë, t’u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë të tyre, e drejta që ata të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë evropianë. Vazhdimi i sjelljes së tillë është verbëri dhe papërgjegjësi e madhe politike ndaj interesave të vendit dhe ndaj asaj çfarë ne do t’u ofrojmë qytetarëve tanë. Prandaj, shpresoj se ne do ta kapërcejmë këtë situatë dhe qytetarëve tanë do t’u mundësohet që ata të lëvizin lirshëm dhe po ashtu bizneseve tona do t’u mundësohet që ata të mos presin nga 5-6 muaj para dyerve të ambasadave të huaja për të realizuar të drejtat që atyre ua ka dhënë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”, u shpreh kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për implementimin e kësaj marrëveshje dhe gatishmërinë që të punohet edhe në agjendën e reformave evropiane, sidomos në pjesën e konkurrushmërisë, në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe në pjesën e krijimit të një harmonie ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, si fusha shumë të rëndësishme.
Kryeministri Mustafa tha se janë arritur rezultate shumë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe dhe ato shihen në rritjen vjetore të ekonomike prej 4% në dy vitet e fundi, me stabilitetin e plotë fiskal dhe makroekonomik, me stabilitetin financiar të vendit, me numrin e bizneseve që po shtohet çdo ditë, me rritje të punësimit dhe zvogëlimin e papunësisë, me krijimin e mekanizmave për përkrahje të bizneseve, me përgatitjet që po bëhen tani në ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re” që do të mundësojë stabilitet në furnizim të ekonomisë dhe qytetarëve me energji elektrike.
“Të gjitha këto konfirmojnë se ekonomia e Kosovës është në rrugë të mirë, është e gatshme të profilizohet si ekonomi konkurruese dhe të jetë e hapur për tregun evropian. Konfirmon po ashtu se Qeveria e Kosovës i ka orientimet e qarta zhvillimore, se ajo e di se çfarë do dhe si do të realizojë synimet e saj, se ajo e sheh zhvillimin ekonomik si proces i cili rezulton nga forcimi i mekanizmave të qëndrueshëm makroekonomik, për një ekonomi të hapur, të diversifikueshme, të adaptueshme ndaj kërkesave të tregut, konkurrente në të gjitha fushat, në atë të prodhimit, tregtisë, në shërbime dhe në sektorin financiar”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar bizneset e pranishme dhe institucionet për njëvjetorin e MSA-së, por edhe për punën që do ta bëjnë bashkërisht si anëtar të Unionit Botëror të Doganave, organizatë kjo e rëndësishme aq sa FMN-ja dhe BB-ja në pikëpamje të rëndësisë zhvillimore dhe të kontakteve dhe këmbimit të përvojave.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke folur për njëvjetorin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shënimit të anëtarësimit të Doganave të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganës, tha se është një vit i përpjekjeve të zyrtarëve doganor për të zbatuar standardet më të larta evropiane.
“Për Ministrinë e Financave, për Doganat e Kosovës ka qenë një vit sfidues për të siguruar se Kosova si shtet i ri mund të plotësoj këto standarde dhe si shtet i ri me orientim të qartë pro evropian e meritojmë të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Ky përvjetor për ne është vit i reflektimit për të parë se cilat janë efektet e MSA-së për ekonominë dhe shoqërinë kosovare dhe për t’i planifikuar hapat për më tutje. Ne e shohim MSA-në si një platformë të jashtëzakonshme për qeverisje më të mirë ekonomike, si një platformë më të mirë për bashkëpunim regjional dhe ndërkombëtar dhe prosperitet të përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror në Kosovë”, tha ministri Hoti.
Ministri Hoti, tha po ashtu, se gjatë këtij vit MSA-ja po zbatohet pa asnjë pengesë teknike dhe procedurale, duke avancuar procedurat doganore konform kërkesave që dalin nga MSA-ja.
Përfaqësuesi i BE-së, Luigi Brusa, ka përshëndetur të pranishmit duke folur për rëndësinë e MSA-së për Kosovën.