Kryeministri Rama lexon vargje nga Agolli në ceremoninë e lamtumirës

05.02.2017 17:45:00

 Personazhe të letërsisë e politikës nderojnë kujtimin e shkrimtarit

 

Miq e personazhe të njohur të letrave dhe letërsisë kanë shprehur nderimin e tyre përmes fjalëve, në ceremoninë e lamtumirës për shkrimtarin dhe poetin e njohur Dritëro Agolli. Të gjithë kishin diçka për të thënë, nga njohja jo vetëm me njeriun Dritëro, por edhe me shkrimtarin që do të mbetet gjithnjë në kujtesën tonë historike. “Jam krenar që kam qenë bashkohës i Dritëroit. Jam krenar që e kam dëgjuar atë dhe që jam frymëzuar nga vepra e tij”, u shpreh shkrimtari Nasi Lera. “Dritëroi është dritë dhe një pikë referimi për të djeshmen, të sotmen, dhe të nesërmen tonë . Ishte dera ku trokisnin të gjithë për një mendim të mençur. Ishte është dhe do te jetë reflektimi që erdhi nga e shkuara dhe reflektimi ynë për të nesërmen tonë evropiane”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta. I ardhur nga Kosova kritiku Ali Aliu u shpreh se ai është portreti i një kohe të eklipsuar në marrosje që do të qëndrojë majave të letërsisë shqipe. “Shqiptarët ende kanë nevojë për mendimin tonë të mençur, të mirë të urtë, sepse të tillë janë kohët që po kalojmë”, do të shprehej ish presidenti Alfred Moisiu.“Qemë me fat që patëm dhe ne Naimin e kohëve moderne që aq shumë e deshi kombin e vetë” do të shprehej kreu i Akademisë së Shkencave Myzafer Korkuti. Të ndjera ishin dhe fjalët e kryeministrit Edi Rama. Ai e ka nisur fjalimin e lamtumirës me vargje:”
“Ç’u bë shkollari Dritëro me bojë në duar
E me penë të thyer në xhep?
Ç’u bë admiruesi i zogjve krahëshkruar,
Që i ndiqte nga lisi në lis, nga plepi në plep?
Po ikim. Po të tjerëve do t’u lëmë
Të paktën një tregim, a një varg,
Që mos skuqen kur në raft t’i vënë
E kur t’i shfletojnë në dhomë a në park…”
“I është drejtuar vdekjes shpeshherë dhe me ‘ti’ e jo rrallë me qesëndi Dritëroi, ustai i vjershërimit njësh me tokën.Qysh se e kam parë në djalërinë time, më ka ngjarë si i sapozbritur nga diku larg, lart, prej një vreshti të fshehur mes maleve; si i huaj futur mes lustrave dhe luspave të qytetit.E gjithnjë ajo qenia e tij e largët, që jetonte brenda personazhit qendror në jetën tonë publike dhe shfaqej hera – herës përmes vargjesh rrëqethëse, më është dukur mua më e afërt se sa personazhi që nderohet sot. Prandaj po të mos më shtrëngonte detyra, do t’i bëja bisht kësaj ceremonie dhe sëkëlldisë së madhe të të qenit këtu, pjesë e lustrave dhe luspave të qytetit; ku siç ndodh gjithnjë, kur vdes dikush që meriton një nderim të posaçëm, më të dukurit rreshtohen për t’i thënë vdekjes se ky dikushi na përket neve e jo ty!Sëkëlldia ma sjell mu afër, para syve, atë dikushin e madh, të kyçur në atë arkë, me atë kreshtën e bardhe, fytyrën e rrahur nga të gjitha erërat, një gotë në dorë dhe sytë që sikur më thonë, ore ç’po thua(?), ç’është kjo mbledhje ku jeni mbledhur të flisni mirë për mua(?)…”, tha kryeministri Rama për të vijuar me të tjera vargje nga Dritëroi.
“Mbylle sytë ndaj të gdhirë
Dhe pranë vatrës prushin le dhe flakën,
Çibukun dhe duhanin e papirë…
Dhe ne lexojmë ndër nekrologjitë,
Rrethuar me korniza emrin tënd,
Dhe heshtim, veç heshtim…”
“Mua më dukej, gjithnjë e më shpesh në rrugën e takimeve tona fare të rralla, Dritëroi, sikur jetonte në një dehje përfundimtare; duke u mbajtur me njërin krah tek Sadija dhe me tjetrin tek Vdekja. Më ngjante se të parës, gruas, i ishte një dashnor besnikërisht i paepur, të dytës, Vdekjes, i luante syrin, duke i bërë me shenjë nga gruaja, si justifikim pse nuk vendoste ende t’i hidhej në krah…”, tha kryeministri Rama duke lexuar më pas vargje që poeti ia kishte kushtuar së shoqes, Sadijes.
“E dashur Sadije,
Të dua si jetën time, madje edhe më shumë
Dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh
Unë edhe i vdekur do të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde
Megjithëse kjo buzëqeshje,
brenda errësirës së varrit nuk duket
Por unë do të bëj të pamundurën, qoftë
edhe me anën e një fluture, që do të dalë
nga kockat e mia.”
“Kështu e shkruajti dhe tamam kështu e bëri.La gruan dhe iku me vdekjen, ndryshe s’kishte si të ndodhte. Iku me të dytën, për të mos humbur të parën.Në fakt, kjo ikja e Dritëroit, i cili, siç e thashë, kryekreje më është ngulitur kahera si një i sapozbritur nga diku larg, lart, prej një vreshti të fshehur mes maleve, është si një kthim përfundimtar për andej nga erdhi dhe ku gjithnjë dukej sikur donte të ikte, teksa jepte e merrte, një jetë të tërë, me rrëmujat e rrëmetet e qytetit”, tha kryeministri Rama, duke shtuar se pikërisht në sallën e Pallateve të Kongreseve Dritëroi ka dhënë ndoshta shfaqjen më emocionuese të ndarjes së tij të brendshme, të jetës së tij të ndarë, mes këtej e andej, portës së kyçur me lloze.“Qenia e tij, e jetuar për vite e vite në kontradiktën dramatike, mes robit të natyrës që i kishte dhuruar bujarisht fuqinë e një talenti të madh dhe personazhit robërues të skenës publike në një kohe kolere për lirinë, lëshoi këtu, mbi këtë skenë, 26 vjet më parë, një klithëm historike që e shpërtheu mu përpara syve të të gjithë botës, llozin më të rëndë të asaj porte: Partinë e Punës së Shqipërisë!Ai lloz i rëndë ra dhe shtëpia e atyre që ëndërruan e luftuan për një botë të re, të kthyer në pengje të ëndrrës së tyre të bërë makth, u shpërbë, por jeta e Dritëroit vijoi të mbetet e ndarë, nga porta mes personazhit të famshëm, që qytetin me lustrat e me luspat e njerëzve e jetonte si stacion të rrëmujshëm tranziti, ku brengën e vriste duke ngritur dolli e qesëndisur mençurisht personazhet rrotull bashkë me veten e tij dhe njeriut thellë brenda vetes që gëzimin e derdhte në rrëketë e vargjeve që e kthenin tutje, në thellësinë e virgjër të atdheut”, tha kryeministri Rama duke vijuar të lexojë të tjera poezi nga poeti
“fshatarëve që u mblodhën,
Faqet e parruara i ulën mbi mua
Dhe thanë: Shumë ara do lërosh ti
Dhe shumë ujë do pish në krua…”
Vitet që iknin vetëm e thellonin atë brengë, siç e përshkruante mrekullisht ai vetë:
“S’jam ëndërrues i krisur i viteve që ikën,
Veç sonte më ka pushtuar një mall.
Ç’u bë ai çuni i vogël që mbante në brez thikën,
Që gdhendte shkopinj thane në mal?”
“Desha thjesht të lidh ca fjalë për të nderuar njeriun që jetonte brenda  personazhit të tij dhe që, hera – herës, shfaqej mahnitshëm, përmes vargjesh xixëlluese, të cilat ngjajnë si pluhur yjesh mbi lumin e plot letrave monotone shqipe; apo shfaqej thjesht fort njerëzishëm kur i afrohesha pranë tavolinës, ku mbante Sadijen në krah e gotën e rakisë përpara, që thoshte se nuk e pinte më.Do ta mbaj mend gjithmonë, pikërisht në atë pozicion, ulur në verandën e një hoteli në Pogradec, ku më tha, “dëshira ime më e madhe në këtë jetë është të fle dhe sapo hap sytë, jam i mbërthyer nga kjo dëshirë kaq e madhe”.Jam i bindur që të tjerët thanë e do të thonë këtu e në të ardhmen, gjëra shumë më të rëndësishme për ta përshkruar jetën e veprën e Dritëro Agollit, se sa fjalët që mund të them unë për Dritëroin”, tha kryeministri Edi Rama duke e mbyllur fjalimin me një tjetër poezi të cilën e quajti si përkufizimin më të pakonkurrueshëm në vërtetësi, që është bërë apo do të bëhet ndonjëherë, lidhur me jetën e me veprën e tij.
“Përjetësisht
këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.”