Kryeministrja britanike arsyeton sulmet në Siri, duke e marrë shembull Kosovën

16.04.2018 19:41:25

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May është duke raportuar para deputetëve britanikë në lidhje me vendimin e saj që Britania e Madhe të marrë pjesë në sulmet ajrore ndaj Sirisë.

Ajo duke iu përgjigjur liderit të Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbin tha se pikërisht qeveria e fundit laburiste kishte ndërhyrë në Kosovë me arsyetimin e zbutjes së vuajtjeve humanitare.

Mirror raporton se kryeministrja britanike ka thënë gjatë përgjigjes, se dallimi i vetëm është se në Siri janë përdorur armët kimike.

“Zbutja e vuajtjeve humanitare është arsye e vlefshme e cila është përdrorur nga partia laburiste në ndërhyrjen në Kosovë”, ka thënë May

Kryeministrja britanike ka vazhduar të këmbëngulë se veprimi i saj ishte i duhuri.

Ajo është përballur me kritika të shumta për pjesëmarrje në këto sulme, sidomos nga partitë rivale në opozitë.