Kryeministrja serbe e pyet Pacollin: Me lejen e kujt erdhët në OKB?

25.09.2018 21:37:39

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, janë takuar shkurtimisht në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në kuadër të margjinave të Asamblesë së Përgjithshme.

Siç raportojnë mediat serbe, takimi i shkurtër në korridoret e ndërtesës së OKB-së ka ndodhur kur Pacolli i është afruar dhe e ka përshëndetur kryeministren serbe, derisa ajo po jepte deklaratë për media.

Derisa po shtrëngonin duart, sipas “Tanjugut” kryeministrja serbe e ka pyetur Pacollin, “nga kush ka marrë leje që të vijë në Kombet e Bashkuara?”, përcjell Telegrafi.

“Kam marr lejen tuaj”, citohet të jetë përgjigjur Pacolli në gjuhën serbe, ndërsa Brnabiq ia ka kthyer:

“Nuk ju kam dhënë leje unë, sikur t’më pyesnit mua …”.

Më pastaj Pacolli ka thënë: “Kjo është një zonjë që ne e respektojmë shumë”.