Kryemnistri Mustafa kryesoi takimin konstituiv të Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës

20.02.2017 21:01:50

Qëllimi i krijimit të këtij grupi është koordinimi i procesit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zhvillimi i politikave dhe monitorimi i zbatimit të legjislacionit të kësaj fushe.
“Konstatoj se Republika e Kosovës çdo ditë e më tepër është duke treguar një qasje pozitive dhe proaktive në ndërtimin e politikave të barazisë, në stimulimin e zgjidhjeve të cilat sigurojnë dhe promovojnë diversitetin dhe krijimin e mundësive të barabarta dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnik, fetar, ose dallim tjetër.

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe të pacenueshme, dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës, të cilat garantohen me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se zbatimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, është vendimtar për të siguruar demokracinë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, prandaj edhe qeverisja e lirë, demokracia e mirëfilltë dhe sundimi i ligjit ndërlidhen ngushtë me sigurimin, respektimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut”, tha kryeministri.


Më tej, kryeministri Mustafa tha se me aprovimin e pakove të ligjeve nga fusha e të drejtave të njeriut, siç është Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligji për Avokatin e Popullit dhe Ligji për Barazinë Gjinore, është kompletuar dhe është avancuar dukshëm korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.