Kryeprokurorja, PD: U konfirmua vegla e Ramës, vettingu i kapur politikisht

04.07.2018 14:04:01

Arta Marku duhet të ishte e shkarkuar nëse procesi i Vetting-ut nuk do të ishte i korruptuar politikisht. PD e konsideron konfirmimin në detyrë të Arta Markut si lajm të keq për reformën në drejtësi”.

Kështu u shpreh deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj nga selia blu, vetëm pak orë pasi KPK rikonfirmoi në detyrë Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, duke e shpallur të pastër në tre shtyllat e Vettingut.

Vendimin, Alibeaj e konsideron si një produkt politik të organeve të vettingut, pavarësisht se sipas PD,  Arta Marku duhej të shkarkohej për mospërmbushje të kritereve të integritetit moral e profesional.

“U konfirmua vegla e Edi Ramës në krye të Prokurorisë”, nënvizoi Alibeaj.

Alibeaj theksoi se “Arta Marku duhet të ishte shkarkuar nga detyra për të paktën 5 arsye të forta, të argumentuara me fakte, të pakundërshtueshme”, që janë:

1-Në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime dhe komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar dhe shkarkuar drejtues prokurorie, në shkelje flagrante me kompetencat e saj ligjore.

2-Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke vendosur prokurorinë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

3-Gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji.

4-Ka deklaruar ndërtime pa leje, në shkelje me ligjin, dhe pa justifikuar burimin e ligjshëm të financimit.

5-Në cilësinë e Prokurores në Shkodër, mbajti në burg në mënyrë të paligjshme një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr lirinë në mënyrë të padrejtë.

Në fund Alibeaj theksoi se njëjtë si Arta Marku që virtyt të vetëm ka besnikërinë ndaj Ramës dhe Xhafajt, gjatë këtij procesi do ë largohet kushdo që kryeministri ka futur në listën e tij të zezë dhe do të qëndrojnë ata që i shërbejnë atij.

Por deputeti demokrat e pati edhe një paralajmërim, duke thënë se “kushdo që ka shkelur ligjin do të përgjigjet përpara tij, përfshi edhe kamikazen e Edi Ramës”.

“S’është e largët dita kur drejtësia në Shqipëri do të bëhet sipas standardeve evropiane dhe jo standardeve të narkoshtetit të Edi Ramës”, përfundoi Alibeaj.