Kryetar i Këshillit të Prindërve: Mësimi nga distanca është dështim

05.04.2021 19:40:16

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka deklaruar se vendimi për pezullim të mësimit me prezencë fizike dhe vazhdimi më atë online është i parakohshëm dhe i nxituar.

“Ne si këshilli i prindërve mendojmë se mësimi nga distanca është dështim, sepse Kosova nuk ofron as për së afërmi mësim online me standardet që i ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian, të cilët e kanë vlerësuar se nuk ka qenë në nivel të duhur mësimi online edhe në shtetet më të zhvilluara”, ka thënë Reshiti.

“Do kërkoj nga kryeministri i Kosovës një rishqyrtim të vendimit të paktën deri në ditën e shtunë për arsimin parauniversitar, se nëse Qeveria mendon se kjo pjesë e fundit e vitit mësimor do organizohet me mësim nga distanca, ne si Këshill i Prindërve i themi që këtu përfundon edhe procesi mësimor apo viti, se mësimi nga distanca nuk ofron asgjë më tepër se deri më tash”.

“Nëse vërtetë statistikat janë të tilla që numri i të infektuarve me COVID-19 është duke u rritur për shkak të shkollave, atëherë do të pajtohemi, por shkollat e rrisin më së paku numrin e infektimeve”.

“Nga ajo që thonë nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP, është se janë shifra shumë simbolike nga shkollat. Pra, nuk janë alarmante. Mësimi nga distanca do të hendikepojë shumë edhe këtë vit mësimor për nxënësit”, deklaroi Reshiti.