Kryetarët e komunave përkrahin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

11.07.2020 10:31:41

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve.

Hoti ka njoftuar se me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot kanë pasur një video konferencë me kryetarët e komunave për të vlerësuar gjendjen me covid-19.

“I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve. I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj”, ka shkruar ai.

Hoti tha se duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.

“I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe. I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar ai.