Kryetarët Jashari dhe Lladrovci takuan Ministrin Majko

08.01.2018 21:24:55

Kryetari i Skënderajt dhe Drenasit, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci si dhe nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, kanë takuar ministrin e Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, me ç’rast kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me diasporën, rëndësisë që duhet dhënë si dhe perspektivës së përbashkët.

Në rrjetin social, z. Lladrovci ka theksuar se “u pajtuan me Ministrin për bashkërendim që do të forcojë më shumë lidhjen me diasporën, ruajtjen e traditës dhe gjuhës si dhe mundësitë që ofron atdheu për ta në çdo aspekt”.

Ja postimi i plotë i z. Lladrovci:

“Sot, së bashku me Kryetarin dhe Nënkryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin dhe Nuredin Lushtakun, patëm kënaqësinë të takojmë Ministrin e Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majkon.

Në takim, theksova se Drenasi dhe Skënderaji kanë diasporë të organizuar dhe jemi falënderues të përjetshëm ndaj kontributit të tyre.

Diaspora jonë është kontribuese e jashtëzakonshme e zhvillimeve pozitive në trojet etnike.

Ata që janë të lidhur ngushtë me atdheun, edhe e ndihmojnë atë. Kemi detyrim të mbesim në kontakt dhe të krijojmë ura sa më të fuqishme me diasporën.

Në takim, biseduam si t’i afrojmë edhe më shumë pjesëtarët e diasporës sepse ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dijen, përvojën dhe kapitalin e saj.

U pajtuam me Ministrin për bashkërendim që do të forcojë më shumë lidhjen me diasporën, ruajtjen e traditës dhe gjuhës si dhe mundësitë që ofron atdheu për ta në çdo aspekt.

Faleminderit Pandi!”