Kryetari i Bordit të AKP-së: Beogradi nuk ka hise në Trepçë

06.10.2016 16:21:20

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi,“Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë” dhe se “Beogradi është i vetëdijshëm se Trepça është pronë e Kosovës”.

Gashi ka thënë se çështja e Trepçës është më shumë ‘politike’ dhe një “çështje shumë komplekse që duhet shikuar jo vetëm nga ky prizëm, por edhe nga aspekti ekonomik dhe ai i sigurisë”.

Ai tha se nëse deri më 1 Nëntor nuk gjendet zgjidhja për Trepçën, Kombinati shkon në proces të likuidimit.

“Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër, do të mundësonte përgatitjen e një plani drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha Gashi.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi tha se “Trepça ka edhe 11 asete në territorin e Serbisë dhe 6 të tjera në Bosnjë dhe Kroaci”.

Radio Evropa e Lirë: Statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” ka kohë që është temë debati në Kosovë. Sipas jush, cila është zgjidhja më e mirë për gjigantin që gjendet në Mitrovicë?

Petrit Gashi: Çështja e “Trepçës” është një ndër temat më të rëndësishme në kuadër të ekonomisë, që është diskutuar në vitet e fundit. Por, gjatë vitit 2016 është trajtuar më seriozitetin më të madh, për mënyrën se si t’i gjendet zgjidhja përfundimtare gjigantit çfarë është “Trepça”. Gjatë këtij viti është diskutuar me të gjitha instancat apo aktorët që janë përfshirë me Trepçën, përfshirë këtu Qeverinë, Kuvendin dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ne si administratorë të Trepçës, është menduar, është shqyrtuar, është analizuar në mënyra të ndryshme se si ta trajtojmë “Trepçën”. Janë marrë raste të ndryshme studimore prej vendeve të ndryshme se si i kanë trajtuar gjigantet e tilla.

Ne si AKP, kemi inicuar një studim të fizibilitetit tashme kohëve të fundit, i cili është në proces dhe i cili do të jap disa përgjigje se si duhet transformuarpërfundimi i Trepçës.

Të them të drejtën zgjidhja për Trepçën nuk është e lehtë, ne po e shohim edhe projekt-ligjin që dje është proceduar në Kuvend. Edhe ai ligj në një formë krijon hapësira, është tejet fleksibil për zgjidhje përfundimtare të Trepçës, për arsye se thjesht nuk është e lehtë që të gjendet një zgjidhje e lehtë përfundimtare, e cila do t’i marrë për bazë të gjitha interesat e të gjithëve dhe dimensionet e Trepçës.