Kryetari i Këshillit të Cilësisë: Të hënën vendoset për akreditimin e programeve

01.02.2019 00:17:56

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni ka bërë të ditur se deri ditën e hënë, ky këshillë do të vendos përfundimisht se cilat programe të UP-së do të akreditohen.

Ai ka thënë se vendimet që i kanë marrë fillimisht, kanë qenë duke u bazuar në nenet sipas të cilave ky këshillë vepron.

“Ne kemi marrë vendim duke u bazuar në nenet përkatëse që të tërheqim akreditimet dhe të tërheqim disa prej aplikacioneve të reja, sepse shumë prej programeve nuk kanë pasur bartësit e programeve. Kriteret kanë qenë minimale”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Luboteni ka thënë se më së largu deri të hënën, do të marrin vendimet përfundimtare për programet që do të akreditohen, dhe tjerat që do të refuzohen.

“Të hënën më së largu merren të gjitha vendimet”, tha Luboteni.

Për të kundërshtimet që kanë ardhur rreth vendimeve për akreditimet, ai ka thënë se është befasuar, ku rithekson se kriteret kanë qenë minimale.

“Një kampanjë e tillë e paparë ndaj KSHC me ekspertë të fushave të ndryshme të thuhet jo kështu jo ashtu, na ka prekur shumë si institucion i pavarur, ku është bërë fushatë e paparë ende pa i marrë vendimet përfundimtare. Të bëhet fushatë nga konferenca e rektorëve për shkarkimin e këshillit i bie se “ujku do mjegull”. Kjo tregon se nuk është interesimi për ngritje të cilësisë në armimin e lartë. Reagimi ndaj Këshillit të Rektorëve është presion mbi KSHC”, deklaroi Gazmend Luboteni.

Ndryshe si pasojë e vendimit të Këshillit të Cilësisë, universitetet publike kanë hyrë në grevë, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të arsimit.