Kryetari i Malishevës: Po gjurmojmë personat, me të cilët ka pasur kontakt...

Kryetari i Malishevës: Po gjurmojmë personat, me të cilët ka pasur kontakt e infektuara me coronavirus

15.03.2020 16:04:46

Nga e shtuna në mbrëmje Komuna e Malishevës është në karantinë, pasi që një 37- vjeçare është diagnostikuar me coronavirus, nga fshati Bubavec i kësaj komune. Kryetari i kësaj Komune, Ragip Begaj, ka deklaruar se ende nuk e dinë nëse ka ndonjë rast të ri të prekur me coronavirus, por thotë se janë duke gjurmuar të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt ajo.

Begaj i ka thënë , se sot nuk kanë informata për gjendjen e pacientes, por që thotë se dje u është thënë se gjendja e saj është stabile.

“Jemi në menaxhim të situatës. Shtabi emergjent po e bën punën e vet. Qendra e Mjekësisë familjare është në nivel të detyrës. Jemi në kontakt me të gjitha fshatrat tona. Jemi duke u munduar me e zbulua rastin ku ka pasur kontakte kjo familje. Raste të tjera nuk kemi. Nuk e di si do të shkojë gjendja më tutje, por Malisheva është e përgatitur që të përballojë sa kemi ne mundësi”, tha ai.

Begaj thotë se nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk iu është konfirmuar nëse ka raste të tjera të diagnostikuar nga COVID 19.

“Nuk na kanë dhënë konfirmim se ka raste të tjera, ende nuk kemi informatë. Sa i përket gjendjes shëndetësore të pacientes nuk kemi informatë, dje na është thënë se është gjendja stabile më nuk e di”, tha ai.

Malisheva nga mbrëmë është vendosur në karantinë, derisa Begaj thotë se për momentin kanë maska dhe doreza të mjaftueshme

Gjithashtu, ai bërë të ditur se kanë kërkuar mjete shtesë, por që tha se deri të martën u është thënë se duhet të presin.

Numri i të prekurve me Coronavirus në Kosovë ka shkuar në pesë. Në mesin e tyre është një 37 vjeçare nga komuna e Malishevës, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, e cila ka ardhur në Kosovë më 01/03/2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“. Vend qëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës./kp