Kryetari i Podujevës shpreh shqetësimin për plagosjen e nxënësve

06.03.2017 15:59:08

 Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka shprehur keqardhje dhe shqetësim lidhur me plagosjen e dy nxënësve të Shkollës së Mesme Teknike “Fan S.Noli”.

“Sot në mëngjes nga Drejtoria e Shkollës Teknike “Fan S. Noli” jam njoftuar se nga një plumb shkrepur nga armë zjarri jashtë objektit të shkollës, dy nxënës brenda në klasë kanë marrë plagë të lehta. Me të marr lajmin kam vizituar shkollën, ku lidhur me rastin u njoftova nga udhëheqja e shkollës dhe Policia e Kosovës.  Institucionet e sigurisë janë në fazën e hetimeve dhe sigurisht se do të dalin me informatë zyrtare dhe të detajuar për rastin. Ky rast është për shqetësim, por fatmirësisht nxënësit i kanë shpëtuar më të keqes dhe shpresojmë se plagët e marra nuk do të kenë pasoja për shëndetin e tyre”, ka shkruar Veliu në profilin e tij në “Facebook”.

Ai më tej, u ka bërë apel qytetarëve që të përmbahen nga të shtënat me armë, sepse rasti i sotëm dëshmon më së miri për rrezikun që mund ta sjellë përdorimi i tyre në mënyrë të pakontrolluar.