Kryeziu: SHBA-ja nuk është për korrigjimin e kufijve, por nuk e përjashtojnë si mundësi (Video)

26.12.2018 21:55:31

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK ka thënë se për futjen në dialog me Serbinë, Kosovës i duhet një konsensus i gjerë politik.

Kryeziu në “Dossier D”, ka thënë se patjetër duhet të formohet një shumicë e madhe shqiptare për të shkuar në dialog, përndryshe kjo shumicë aktuale nuk do të jetë në gjendja ta ratifikojë në Kuvend një marrëveshje të mundshme me Serbinë.

“Nëse nuk miratohet një marrëveshje e mundshme[me Serbinë], do të kemi pasoja në raport me faktorin ndërkombëtar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Pjesëtari shoqërisë civile ka thënë se më prioritare do të duhej të ishte cilësia e marrëveshjes se shpejtësia e arritjes së saj.

Kryeziu ka thënë se qëndrimi i politikës së jashtme amerikane ka ndryshuar pas ardhjes së presidentit Donald Trump. Sipas tij prioritet e diplomacisë amerikane nuk është më Ballkani por Irani.

“Amerika nuk ka përmendur korrektimin e kufijve, por nëse palët merren vesh ata nuk do ta pengojnë një zgjidhje të tillë. SHBA nëse gjen vetëm një dakordësi nga Rusi, sepse kjo e fundit i duhet për Iranin, do të krijonte një marrëveshje e cila do të ishte e balancuar për dyja vendet, marrëveshje që do të votohej nga Kuvendi dhe që do të krijonte stabilitet”.

“…Amerikanët nuk po thonë se jemi për korrektimin e kufijve, por  ata po duan një marrëveshje solide për dyja palët. Por ata nuk e përjashtojnë si mundësi nëse palët merren vesh. Prandaj nuk është mirë që dikush në Kuvendin e Kosovës ta artikuloj atë ide”.

Përfaqësuesi nga Instituti EPIK ka thënë se rezoluta e fundit e miratuar në Kuvendin e Kosovës nuk e pengon një korrektim të mundshëm të territorit.

“Rezoluta duhej ta kishte një pikë që nuk e ka, që asnjë institucion qendror kushtetues i Republikës së Kosovës nuk guxon të ketë si objekt diskutimi çështjet që kanë të bëjnë me territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu.