Ksamil, maskat grabisin vilën dhe dhunojnë të zotin

12.01.2018 16:58:00

Një grabitje ka ndodhur gjatë natës në Ksamil. Persona të paidentifikuar, me maska në kokë dhe armë në dorë kanë dhunuar pronarin e banesës dhe kanë grabitur edhe vilën 3-katëshe në Ksamil.

Të maskuarit kanë hyrë në banesë, kanë lidhur personin me inicialet P. L., dhe më pas e kanë dhunuar. Ata i kanë marrë edhe çelësat dhe kanë grabitur çfarë kanë gjetur.

Policia është njoftuar paraditen e sotme prej shtetasit P.L., se në banesën e tij i kanë shkuar tre persona të maskuar dhe armatosur, të cilët e kanë rrahur e lidhur.

Nga verifikimi i policisë në vendin e ngjares u konstatua se në Ksamil rreth orës 07:30, në banesën e shtetasit P.L., ndërtesë tre katëshe, e cila përdoret si shtëpi pushimi gjatë sezonit veror, kanë shkuar tre persona të maskuar dhe të armatosur.

Grabitësit e kanë rrahur e goditur me qytën e armës të zotin e shtëpisë dhe më tej e kanë lidhur.

Autorët e maskuar i kanë marrë çelësat e banesës dhe kanë hyrë për të vjedhur. Më pas i kanë marrë dhe mjetin tip “Benz”, me targa AA 322 DP, dhe janë larguar. Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sakaq grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.