Ksenija Bozhoviq: Jam skeptike se vrasësi i Ivanoviqit do të gjendet ndonjëherë

06.02.2018 11:33:43

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar se është skeptike që do të gjendet autori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Bozhoviq tha se hetimet rreth kësaj vrasje që nga fillimi kanë shkuar keq

“Do të dëshironim të gjendej autori apo autorët  e vrasjes, ndonëse nuk shpresoj. Jam skeptike se vrasësi do të gjendet ndonjëherë”, ka thënë Bozhoviq.

“Kanë kaluar më shumë se 20 minuta, ndërsa vendi ku është ekzekutuar Oliveri nuk ka qenë i siguruar nga Policia. Në fakt, nuk ka pasur hetues fare, ndërkohë  që qytetarë të shumtë kanë frekuentuar vendin ku është kryer krimi duke fotografuar dhe ngjashëm. Andaj, kam qenë e zhgënjyer tej mase sepse fillimi i hetimit nuk më ka pëlqyer dhe më duket se është bërë shkel e shko”, theksoi Bozhoviq për Telegrafin.

Ajo tha se edhe pas tre javësh të hetimeve të zhvilluara nga organet përgjegjëse, akoma nuk ka as edhe një informatë të vetme që ndërlidhet me kryesit e këtij akti kriminal.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 në një atentat të organizuar para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Organet e hetuesisë së Kosovës kanë deklaruar se janë duke mbledhur fakte edhe kanë siguruar të gjitha materialet në vendin e ngjarjes si dhe kanë marrë pamjet e kamerave në afërsi të vendit të ngjarjes.