Ksenofobia në Shkollën Fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc

04.09.2018 10:50:49

Nga Sevdail Hyseni

Siç shkruan portali informativ në gjuhën serbe “Bujanovaçke”, rreth 30 serbë, nuk kanë lejuar që fëmijët e tyre filloristë të hyjnë në Shkollën Fillore “Branko Radiçeviq”, në Bujanoc, ngase janë të pakënaqur me radhitjen e personelit arsimor nëpër klasë, por mësohet jozyrtarisht, se fakti qëndron në atë se pesë klasat e para duhet të jenë të përziera me nxënës romë.

Në klasën e parë të Shkollës Fillore “Branko Radiçeviq”, janë regjistruar gjithsej 88 nxënës parashkollorë, prej të cilëve dy të tretat janë nxënës fillestarë romë, njofton “Bujanovaçke”.

Ka vite që në Shkollën Fillore “Branko Radiçeviq”, po manifestohet ksenofobia ndaj nxënësve të komunitetit rom, qoftë nga prindërit e nxënësve serbë, të cilët sa vijnë e zvogëlohen në numër, po ashtu edhe nga personeli arsimor.

Shembujt tregojnë se para disa viteve drejtori i shkollës rrahu një nxënës të nacionalitetit rom, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, e maltretime të tjera të natyrës joqytetëruese.

Komuniteti rom në qytetin e Bujanocit, ndonëse paraqet në potencial të madh njerëzor, ata nuk kanë shkollë në gjuhën amtare, por janë të detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre t’i ndjekin mësimet në gjuhën serbe në Shkollën Fillore “Branko Radiçeviq”.

Duke i falënderuar numrit në rritje të nxënësve romë, kjo shkollë serbe llogaritet nga më të mëdhatë në nivel komune, duke ruajtur edhe bërthamën e personelit arsimor dhe numrin e paraleleve, që nëpër shkollat e tjera rurale, në mënyrë drastike po zvogëlohen.

Kërkesat e prindërve serbë, kundër klasave të papërziera me nxënës të përkatësisë nacionale rome, është një shembull i keq, i multietnicitetit në një mjedis shumetnik siç është Bujanoci dhe një grusht për bashkësinë ndërkombëtare, e cila në këtë komunë ka investuar me vite të tëra për ta zhvilluar, promovuar dhe afirmuar tolerancën ndëretnike.

Sa i përket shkollave të tjera në Komunën e Bujanocit, ato prej kohësh i zhvillojnë mësimet në gjuhën shqipe dhe serbe, të ndara në objekte të posaçme dhe mbi baza etnike, me përjashtim të dy vendbanimeve, që akoma funksionon mutietniciteti shkollor.