KSHZ-ja fillon shpërndarjen e materialit zgjedhor

09.12.2016 22:24:22

Me siguri të lartë policore filloi distribuimi i materialit zgjedhor nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir.

Anëtarët e KSHZ-së, vëzhgues të këtij procesi, paraprakisht nënshkruan procesverbalin, pasi konstatuan se printimi i materialit zgjedhor është kryer sipas të gjitha rregullave të parashikuara në kodin zgjedhor dhe nuk ka pasur asnjë parregullsi.

“Nga ana e KSHZ–së dhe anëtarëve të saj sot u konstatua se printimi i materialit zgjedhor është kryer sipas rregullave të kodit zgjedhor dhe i njëjti proces është bërë nën vëzhgimin e video-kamerave”,- deklaroi për TVM2, Aleksandar Çiçakovski nga KSHZ.

“Gjithçka është bërë sipas rregullave të parashikuara në kodin zgjedhor, ndërsa materiali zgjedhor është printuar me cilësi të lartë”,- theksoi drejtori i ShA “Kiro Dandaro”, Dragi Miloshevski.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor janë printuar gjithsej 1 milion e 784 mijë e 416 fletvotime, aq sa ka edhe votues në regjistrin zgjedhor të publikuar nga KSHZ. Nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” hedhin poshtë spekulimet e një portali se kinse kanë printuar mbi 80 mijë fletvotime më shumë dhe paralajmëruan kallëzim penal për portalin në fjalë.

Nga KSHZ njëherit informojnë se procesi zgjedhor për personat e sëmurë dhe të burgosurit do të mbahet të shtunën.