KSHZ-ja konfirmoi rezultatet e zgjedhjeve

06.05.2019 19:24:26

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vërtetoi rezultatet e para zyrtare pas pranimit të materialeve zgjedhore nga Komisionet Komunale, të cilat konfirmuan fitoren e Stevo Pendarovskit në zgjedhjet presidenciale.

Nga ky institucion bënë me dije se më 5 maj të drejtën e votës e shfrytëzuan 844 mijë e 360 votues.

Prej tyre, 377 mijë e 713 ose 44.73% votuan për Gordana Siljanovska Davkovën kurse 436 mijë e 212 votues ose 51.66% votuan për Stevo Pendarovskin.

Dallimi mes tyre është 58 mijë e 499 vota në favor të kandidatet Pendarovski.

Rezultatet përfundimtare zyrtare, KSHZ-ja do t’i vërtetojë pas skadimit të afatit për ankesa nga pjesëmarrësit në zgjedhje, mundësi e cila është akoma e hapur.

“Me këtë mund të them se kanë filluar të rrjedhin afatet për ankesa që zgjasin 48 orë. Gjatë këtij afati palët e interesuara kanë mundësi të dorëzojnë ankesa deri në KSHZ”, tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së, raporton Alsat M.

Deri të martën në ora 19, pjesëmarrësit në zgjedhje mund të dorëzojnë ankesa për procesin e votimit kurse deri të mërkurën në ora 17, mund të dorëzojnë ankesa për mbledhjen dhe llogaritjen e rezultateve. VMRO-DPMNE-ja opozitare tashmë ka njoftuar se do të dorëzojë ankesa

“VMRO-DPMNE-ja sipas shqyrtimit të të gjithë procesverbaleve nga të gjitha vendvotimet do të dorëzojë ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Do t’i procedojmë vërejtjet nga terreni për dërgimin e organizuar të njerëzve në votime, për votim grupet, agjitim, blerje dhe veprime të tjera joligjore. Për këto dhe për shkelje të tjera ligjore do të dorëzohen edhe padi penale”, pohoi Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Stevo Pendarovski duhet të marrë detyrën më 12 maj, atëherë kur përfundon mandati i presidentit në largim Gjorge Ivanov.