Kthehet Europa League, 32 skuadra për 16 vende

16.02.2017 15:40:59

Europa League rikthehet me ndeshjet e fazës së 1/16 të finaleve, ku nuk mungojnë sfidat interesante.

Një prej tyre është ajo mes Fiorentinës dhe Borusia Munchengladbach, me skuadrën gjermane që bashkohet në këtë kompeticion pasi u rendit e treta në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Skuadra vjollcë vjen në këtë përballje pas suksesit me Udinesen, që i ka rritur shumë moralin pas goditjes së rëndë që mori në “Olimpico”, ndaj Romës.

Sot luhet edhe sfida mes Celta Vigos e Shakhtar Donetsk. Herën e fundit që këto skuadra janë përballlur ka qenë në sezonin 2000/2001, në raundin e tretë të Kupës UEFA, me skuadrën spanjolle që arriti të kualifikohej pasi fitoi me rezultatin e përgjithshëm 1-0. Ndeshja e parë e këtij sezoni mes tyre do të luhet në Balaidos, me Celtan që në arenën evropiane nuk njeh humbje në këtë impiant. Shakhtari nga ana tjetër do të kërkojë fitoren e 8 radhazi në Evropë.

Në orën 21:05 është rezervuar përballja mes Villarrealit dhe Romës. Verdhekuqtë  vijnë në këtë ndeshje pas fitoreve në kampionat me Fiorentinën dhe Crotonen, duke u pozicionuar në vendin e dytë. Por, sfida me Villarrealin nuk do të jetë aspak e lehtë, me “Nëndetësen e verdhë” që është e gjashta në La Liga, 6 pikë larg zonës Champions.

Manchester United do të luajë në “Old Trafford” ndaj Saint Etienne. Mourinho pritet që të hedhë në fushën e lojës Paul Pogba dhe Zlatan Ibrahimovic, ndërkohë që dyshime janë ngritur për Rooney, Carrick dhe Jones, të cilët munguan në seancën stërvitore të së mërkurës. Sfida mes Manchester United dhe St. Etienne do të ketë shumë domëthënie për Paul Pogba, i cili do të vihet përballë vëllait të tij Florentin, që është pjesë e skuadrës franceze.