Ku ngjan Rama i 2009 me Bashën e sotëm?

29.06.2017 17:33:55
Ajo që po ndodh sot në PD pas humbjes katastrofile të 25 qeshorit mund ta bëjë çdo shqiptarët të mendojë se e keqja nuk ka fund. Kryehumbësi i PD-së Lulzim Basha po ndjek të njëjtën rrugë për të uzurpuar partinë si Edi Rama pas humbjes së vitit 2009. Ata ngjajnë në shumë pika.

Të dy edhe Rama i 2009 edhe Basha i sotëm e shfrytëzuan fushatën për të spastruar partinë nga kundërshtarët. Rama fshiu ish kryeministrin Nano, ish presidentin Meidani ndërsa Basha gjithë hierarkinë e PD me një të rënë të lapsit.

Të dy bënë gjoja një fushatë të qetë dhe paqësor pas një opozite të egër, Rama me bilbilat dhe Basha me çadrën.

Të dy mbetën të fiksuar në klishe emblematike. Rama duke u përqafuar me Berishën në spital pas shpërthimit të Gërdecit dhe Basha duke ndjerë dorën e Ramës pas shpatuallave.

Të dy u justifikuan me slloganin që bëmë lista personale që do na çojnë drejt fitores dhe se nëse kjo nuk ndodh do të marrin përgjegjësitë personale

Pasi të dy dështuan në këtë aventurë (Basha edhe me rezulatat katastrofik) të dy rrefuzuan të largohen.

Të dy pas humbjes kanë hapur një garë fallco dhe pa rregulla loje.

Të dy i kanë caktuar vetë kandidatët alternativë, Edi Rama e merrte në makinën e tij për fushatë maqo Lakrorin, Basha i ka caktuar këshilltarët e tij që të shkruajnë programin e rivalit.

Të dy shkelën statutin e organizimit të garës dhe organizuan zgjedhje blitz për ta mbyllur sa më shpejt plagën.

Të dy adaptuan propogandën e të dërguarit të zotit mbi tokë duke i udhëzuar mbështetësit të përsërisin refrenin: “Mirë po e heqim, po a ka tjetër më të mirë”?

Pra duket sikur Basha apo kopjon hap pas hapi strategjinë e Ramës për të uzurpuar partinë. Nëse ai fiton në 24 korrik (me këtë rrugë nuk ka një mundësi tjetër) është e qartë se Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë. Sepse si rival i ramës do të sanksionohet kopja e tij më e zbehtë dhe më e keqe.