Ku po shkon arsimi shqiptar

08.10.2016 20:03:01

Nga Dr.  Albano ZHAPAJ

Shkollat dhe universitetet shqiptare, nga sa po shikojmë, nuk po ja dalin t`u japin fëmijëve dhe të rinjve tanë një nivel të përshtatshëm edukimi dhe formimi. Problemi është i dukshëm dhe i prekshëm, nga fëmijët, nga familjet, nga të rejat dhe të rinjtë studentë, dhe nga ekspertë të fushës së arsimit, të cilët vënë gishtin mbi problemet aktualë dhe kritikojnë ekzekutivin. Edhe kritikat, ngado ardhshin, janë pa vlerë në qoftë se të gjithë bashkë, ekspertë dhe aktorë të kësaj fushe,  nuk mendojmë apo propozojmë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë.

Cilat janë pikat më problematike të sistemit të sotëm arsimor.

Cilësia e shkollës shqiptare ka një qasje të largët, për të mos thënë të kundërt me territorin. Veçanërisht në rrethinat dhe periferitë e qyteteve, ku të mësuarit, po ta krahasojmë, është nën nivelin mesatar të shkollave të qyteteve, e lere pastaj të flasim për krahasime me shkollat e vendeve të zhvilluara.

Pagat dhe karriera e mësuesve nuk varen nga rezultatet individuale të gjithsecilit, por varen nga një sistem i centralizuar vlerësimi. Për këtë arsye sistemi publik arsimor, pa përjashtim, nuk shpërblen dot personelin akademik sipas meritave në nivel individual, dhe aq më tepër nuk mundet të përzgjedhë ekselencën në nivel shkolle, edhe në qoftë se do donte.

Universitetit publik, ndërkohë, i mungojnë resurset financiare dhe nuk arrin të dallojë nga të tjerët për cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor; në këtë pikë konkurrohet fort nga sistemi universitar jo publik, i cili reklamon më fuqishëm në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, nëpërmjet konferencave, seminareve apo takimeve publicitarë të dhënies së titujve “Honoris Causa”, të merituarve dhe pamerituarve.

Ndryshe nga sistemi parauniversitar, universiteti ka nevojë për më shumë burime financiare. Financimi i universiteteve me ligjin e ri (kujtoj kreun 12 të ligjit famëkeq të arsimit të lartë) ka gjasa të jetë i ndarë keq dhe i ndarë edhe në shumë universitete jo publike. Ndërkohë shkollat dhe universitetet publike shqiptare nuk e kanë fuqinë e mjaftueshme menaxheriale dhe autonominë e vendimmarrjes, dhe kanë për të mbetur shumë pas në konkurencë, pasi zbatimin e reformës financiare në arsim, këto publiket do e fillojnë me disa hapa pas, në garë.

Arsimi aktual shqiptar përballet edhe me dy probleme të rëndësishme sociale.

Së pari, sistemi nuk arrin të lehtësojë apo të afrojë distancën e pamatë midis  kërkesës dhe ofertës së punës, dhe kjo duhet të jetë prioritet në një vend ku përqindja e të rinjve të moshës nga 15 vjeç deri në 30 vjeç, që nuk kanë një punë, vazhdon të rritet me ritme të shpejta. Sistemi prodhon akoma vetëm profesione që duhen për vendin e punës në shtet.

Së dyti, gjendja e shërbimit arsimor në përgjithësi (publik apo privat) nuk ka dhënë prova të mjaftueshme për sa i përket mobilitetit social, dmth mundësisë që një student shqiptar të shkojë të vazhdojë studimet që i kanë mbetur në një vend tjetër evropian, apo edhe anasjelltas, pra që një student i huaj të vijë dhe të përfundojë këtu studimet e filluara në vendin e tij të origjinës. Mobiliteti i studentëve, si një parimet bazë të Bolonjës, do të ndihmonte që shumë të rinj ta gjenin veten, për zgjedhje dhe meritë të tyre, të punësohen në kompani të huaja, apo shumëkombëshe. Mungon një vizion i qartë dhe një strategji për ta bërë këtë gjë.

Sot, kufizimi kryesor i sistemit arsimor qëndron në pamundësinë për të shpërblyer financiarisht meritën në nivel individual të mësimdhënësit, dhe në këtë sens, për të mund të përzgjedhur ekselencën indivuduale në nivel shkolle, të mësuesit. Në nivelin e shkollës fillore dhe të mesme, ky problem përkthehet në një vëmendje të ulët për punën e rezultateve të mësuesve. Vëmendja e pakët mbi meritën, sjell pasojë rutinën dhe indiferencën e mësuesit, dhe si rrjedhim barazon përgjegjësitë e varfra të mësimdhënësve, me ato të stafit administrativ; rastet e fundit të denoncuara në emisionet investigativë të disa televizioneve shqiptarë, kanë treguar fenomene të mungesave, lëshimeve dhe rezultatet e dobëta në shkollat rajonale apo ato profesionale.

Universiteti publik, mungesa e vëmendjes të së cilit ka rënë ndjeshëm në lidhje me karrierat e paqarta, për të mos thënë të errëta, të promovimit të një pjese të trupës akademik,  në disa fakultete publike, pasi ato private as që di njeri se ç`ndodh në to, njëkohësisht trysnon fort studentët  duke dhënë rezultate të dobëta dhe duke ngelur në masë studentët, në emër të një “cilësie të institucionit” për t`i mbajtur sa më gjatë dhe të shumtë në numër, në mënyrë që të përfitojnë sa më tepër nga financimet publike, pa llogaritur këtu përfitimet personale të anëtarëve të trupës akademike.

Ky model, që do ta quaja pa frikë, si model i “universitetit parking”, është kthyer në modelin e institucionit më të urryer, kryesisht nga student, të rinj apo të reja, që janë pjesë e fashës së mesme dhe të pasur të popullsisë, të cilët këto vitet e fundit kanë gjetur si zgjidhje të shpejtë, transferimin e studimeve nga publiku tek privati, për të hequr më në fund stresin dhe ankthin e sezoneve dhe provimeve të mbartur, prej vitesh e vitesh. Ka sinjale përmirësimi të vlerësimit të studentit, së fundmi në disa fakultete publike, dhe kjo është një gjë pozitive e që duhet ndjekur si shembull.

Emëruesi i përbashkët i të këqijave, në shkollë apo universitet, është nga njëra anë; centralizimi dhe kontrolli i tepër dhe i panevojshëm i ekzekutivit të arsimit mbi to, i cili me sa duket vjen si pasojë e dëshirës së pushtetit për ta pasur nën kontroll sistemin arsimor, dhe nga ana tjetër; mungesat ligjore dhe faktike të  autonomisë në këto institucione, për sa i përket në vendimeve për promovim apo shpërblim financiar personelin ekselent, eficient dhe frytëdhënës.

Vendimmarrja e centralizuar ndikon në (për)hapjen e institucioneve ose programeve të studimit të padobishme apo të interesave klienteliste, ndërkohë që mungesa e autonomisë shkollore apo universitare zvogëlon konkurrencën midis institucioneve dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë ato.

Cilat do të ishin zgjidhjet më të mira të mundshme për sistemin tonë arsimor

Duhen rishikuar nga ana e ligjvënësit, i atyre dispozitave ligjore të arsimit parauniversitar dhe universitar, në mënyrë që t`i njihen shkollave dhe universiteteve autonomi maksimale, e shoqëruar kjo edhe me përgjegjësi maksimale.

Duhen hequr udhëzimet e ekzekutivit që orientojnë dhe ushtrojnë kontrollet për pagat dhe karrierën e personelit mësimor dhe akademik. Shkollave publike u duhet lejuar të zgjedhin vetë mësuesit, dhe u duhet lejuar gjithashtu të kontraktojnë në mënyrë të pavarur pagat dhe karrierën e secilit mësues apo pedagog. Rrogat sipas pozicioneve standard, të njësuara për të gjitha shkollat dhe universitetet, sjellin pasojë mungesën e konkurrencës dhe mos dhënien e maksimumit nga ana e mësimdhënësit.

Shkollat publike, duhet të marrin fonde nga shteti bazuar në numrin e nxënësve; në lidhje me arsimin e detyruar, ai i duhet nënshtruar parimit se kostoja e edukimit duhet të mbulohen në një masë të madhe nga buxheti i shtetit, dhe në një masë tjetër nga rajonet përkatës. Ndarja e këtyre financimeve publike, megjithatë, duhet të decentralizohen përmes një sistemi për frymë, dmth që një shkollë merr financime në varësi të se sa nxënës arrijnë të tërheqin, të thithin.

Së bashku me këtë mekanizëm,  ajo që duhet përcaktuar për institucionet, është maksimumi i autonomisë institucionale, financiare, menaxheriale dhe ajo e mësimdhënies, në mënyrë që të gjitha institucionet të kenë mjetet e nevojshme për të përmirësuar ofertën e tyre dhe për të bindur nxënësit që të regjistrohen në institucionin e tyre dhe jo në një tjetër.

Një model i tillë i sistemit shkollor dihet që është ai finlandez, ku autonomia e plotë e institucioneve (e cilat shtrihet edhe në përcaktimin e programeve arsimore), së bashku me mekanizmin e financimit, ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme në drejtim të mësimit dhe efikasitetit. Normal që s`mund ta marrësh “copy paste”, edhe këtë system, por mund të gjenden mënyrat e aplikimit të tij dhe kontrollit të përgjegjësisë në nivel rajonal.

Një autonomi edhe më të madhe, sidomos në zgjedhjen e edukimit, duhet të lihet në universitet. Autonomia më e madhe që u duhet dhënë universiteteve duhet të korrespondojë me përgjegjësi po ashtu të mëdha, duke përfshirë edhe mundësinë e mbylljes së atyre që nuk janë në gjendje të tërheqin një numër të mjaftueshëm studentësh për të justifikuar dhe mbështetur veten e tyre.

Kjo duhet nënkuptuar jo vetëm si detyrim social i universiteteve përkundrejt publikut, por duhet parë edhe si një e drejtë e universiteteve publike (por edhe jo publike), të cilat, veç suksesit, kanë edhe lirinë për të dështuar,  nëse konteksti nuk ka kërkesa të mjaftueshme për shërbime apo profesione, të cilat ofrojnë programet universitare të këtij institucioni.