Kualifikohet AEK-u, Astana shtang Slavian, Gattuso ende pa fitore

08.12.2017 09:41:28

Kanë përfunduar takimet për 6 nga 12 grupet e Europa Leagues, ndërsa janë dhënë edhe verdiktet e fundit. Kështu, AEK-u i Athinës ia ka dalë të sigurojë kualifikimin, falë barazimit pa gola në Vjenë, ndaj Austrias. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Gattuso dështoi të gjejë fitoren e parë me Milanin, pasi u mposht nga Rijeka me rezultatin 2-0.

Kualifikim siguroi edhe Copenhageni, që mposhti në Danimarkë moldavët e Sherif Tiraspolit, ndërsa Lokomotiva e Moskës triumfoi ndaj modestëve të Zlinit. Edhe bullgarët e Ludogoretsit ia dolën të kualifikohen falë barazimit 1-1 në Gjermani, ndaj Hoffenhaimit, duke zhvlerësuar fitoren e Basaksehirit ndaj Bragës.

Atalanta mposhti Lyonin 1-0 dhe siguroi vendin e parë në grup, ndërsa në takimin tjetër Evertoni triumfoi 0-3 ndaj Apollon Limasolit. Astana bëri befasinë në Pragë, teksa fitoi 0-1 dhe u kualifikua duke lënë jashtë pikërisht vendasit e Slavias. Në sfidën tjetër të grupit, Villareali u mposht 0-1 nga izraelitët e Macabi Tel Avivit. Në grupin e Skënderbeut, Dinamo e Kievit priti Partizanin e Beogradit, të cilin e mposhti me rezultatin e thellë 4-1.

Në grupin K, Lazio u mposht 3-2 nga belgët e Zultes, por skuadra e Inzaghit e kishte siguruar edhe matematikisht vendin e parë në grup. Thomas Strakosha dhe disa titullarë të tjerë, nuk udhëtuan fare drejt Blegjikës për këtë sfidë. Në takimin tjetër të grupit, Vitesse mposhti Nicen 1-0, me një gol të shënuar në minutën e 85-të të sfidës.

Edhe në grupin L ishte dhënë verdikti dhe ndeshjet luheshin sa për statistikë. Kështu Zeniti i Roberto Mançinit u konfirmua në krye te grupit, pasi mposhti Sociedadin me rezultatin 1-3, në Spanjë. Në Maqedoni, Vardari u ndal në barazim 1-1 me norvegjezët e Rosenborgut.

Athletic Bilbao ia doli me sukses në transfertën ukrainase ndaj Zoryas, ku fitoi 0-2 dhe siguroi kualifikimin. Në takimin tjetër të grupit, Hertha Berlin dhe surpriza Ostersunds, ndanë nga një pikë në barazimin 1-1.

Plzeni fitoi në Izrael, 0-2 ndaj Hapoel Ber Shevas dhe siguroi kualifikimin bashkë me rumunët e Steauas së Bukureshtit, që sot u mposhtën 1-2 nga Lugano.
Crvena Zvezda ia doli me sukses të kualifikohej, teksa mposhti me rezultatin 1-0 gjermanët e Kolnit, në Beograd. Në sfidën tjetër të grupit, Arsenali shkatërroi bjellorusët e Bates me rezultatin 6-0.

Edhe Marseja ia doli të kualifikohej, ndonëse nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në ‘Velodrome’, përballë kryesuesve të grupit, Salzburgut. Barazim, por këtë herë me gola, 1-1 përfundoi edhe sfida tjetër e këtij grupi, ajo mes Konyasporit dhe Guimaresit.