Kujdes kryeministër, të njohim për trimëri, bile mos u tall!

05.01.2018 17:31:37

Nga:Jusuf Bytyçi

Çdo ditë e më tepër, të këtij mandati qeverisës, kreu i Ekzekutivit të vendit, po e dëshmon veten jo si një udhëheqës i lartë institucional, i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për pozitën (ani se pa e merituar)! Përkundrazi, kryeministri R. Haradinaj, po tregohet gjithnjë e më arrogant dhe madje mos mirënjohës ndaj qytetarëve, për durimin e tyre të pafund!

Numri kaq enorm i vartësve të tij në Ekzekutiv, pa ndonjë kriter e bagazh të dëshmuar profesional, dhe vendimi shumë i shpejtë dhe tashmë famoz për ngritjen e pagave, ua kalojnë për të keq edhe vendimeve tjera të rëndësishme, qoftë ai për hallet e qytetarëve me energjinë elektrike, për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare apo për Kosovën e Re! Kur e arsyetoi ngritjen e pagës për vete dhe për vartës, edhe pse ne nuk i besonim fare, kryeministri tha: “nuk mund t’ia dalim me këto paga të ulëta, më duhet me ble një këmishë, kravata sene tjera, se nuk mund të shkojmë gjithëqysh”! Jo 2950 euro, por 29.950 euro qoftë paga mujore me letra, nuk ua mbyll dyert, mënyra dhe rrugët e përfitimeve materiale-financiare. As edhe 50 mijë euro pagë mujore, juaja dhe e shumë bashkëpunëtorëve nga koalicioni qeverisës, bashkëpartiakëve, ish-bashkëluftëtarëve, si dhe ndonjë miku tjetër që “ka kontribuar në forma të ndryshme për këtë gjendje”, nuk e arsyeton dot pasurimin tuaj marramendës, në Gllogjan e rrethinë, në Prishtinë e gjetiu jashtë Kosovës! Zotëri Kryeministër, përfitimet, pasurimin dhe pasurinë enorme, nuk mund ta arsyetojnë as kolegët tuaj të fuqishëm në Qeveri, pavarësisht nga pagat e “ulëta” apo të hyrat tjera…nga qëraja, pjella e tokave, pronave që “keni nga baballarët”! Ke bërë shumë plane, shumë koalicione dhe “shumë mund”, shumë je viktimizuar për të arritur cakun, pavarësisht nga votat dhe mandatet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tash, e ke rastin edhe me u tall me qytetarët, që ndonëse të përballur me shumë probleme, po heshtin, po durojnë në pafundësi! Kërkoje këmisha e kravata, kërkoje më shumë mundësi për punë jashtë orarit, ia arrite, rrogën e rrite, këmishat dhe kravatat, t’i dhuruan njerëzit vullnetmirë, ani se e dinim se po talleshe! Kritikove edhe arsimin, arsimtarët, të cilët u ndien edhe të fyer! Dhe kur e vazhdove talljen, avazin e vjetër, mësyve Zvicrën për pushime goxha të veçanta, ndërkohë që nga vartësit kishe kërkuar që të punojnë edhe të dielën! Kryeministër, pse vallë shqetësohesh me ton goxha kërcënues dhe mosmirënjohës ndaj qytetarëve apo edhe ndaj gazetatëve e medieve, që kritikojnë arsyeshëm luksin e tepërt të kreut të Qeverisë sonë, të krejt qeveritarëve, Presidencës e Kuvendit, karshi krizës së skajshme ekonomike-sociale në Kosovë?! Pse vallë po talleni me qytetarët, tepër të durueshëm, kur vet e thatë publikisht se “para keni boll, bile edhe për dy apo tre pushime, por nuk keni kohë?! Kjo, fatkeqësisht tingëllon edhe si mospërfillje dhe arrogancë ndaj një pjese-kategorie të madhe qytetarësh, që jo Alpet Zvicerane, por as bregdetin shqiptar, pos në TV nuk e kanë parë kurrë! Nesër, pasnesër, pas një muaji, gazetarët hulumtues do të shkruajnë edhe për tenderët, keqpërdorimet milionëshe në auto-rrugë, në projekte të mësha të infrastrukturës rrugore, shkollore, shëndetësi, ujësjellës, kanalizime, për afera e mitomani. Nuk e zgjodhët rastësisht Ministrinë e Infrastrukturës për njeriun tuaj më besnik! Krejt në fund, e dimë se ju kryesorët e koalicionit qeverisës, tre ish- komandantët e UÇK-së, jeni të guximshëm, trima, merrni edhe vendime të “guximshme”, por kjo mënyrë e qeverisjes, për ne si ish-ushtarë-luftëtarë pa grada, si dhe për shumicën e qytetarëve shqiptarë, duket zhgënjyese!