KUJTESË: IBRAHIM RUGOVA NË VIZITË REFUGJATËVE KOSOVARË NË MAQEDONI PARA 20 VJETËSH

26.05.2019 18:58:41

Nga: Muhamet Hamiti

Si sot 20 vjet më parë, më 26 maj 1999, Presidenti Ibrahim Rugova ishte për vizitë në Maqedoni. U takua me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, me bashkëpunëtorë të vet që në atë kohë ishin refugjatë në Maqedoni. Unë vetë kam qenë njëri prej tyre. Kam kujtime të gjalla nga takimi me prijësin tonë atë ditë.
Mbi të gjitha, siç shihet në këtë storie të Associated Press-it, Presidenti Ibrahim Rugova u prit me gëzim e brohoritje nga refugjatët kosovarë në Stenkovec.
Duke folur frengjisht e anglisht para gazetarëve të shumtë, Presidenti Rugova thotë se duhet të vendoset prani ndërkombëtare, trupa tokësore të NATO-s në Kosovë, për të krijuar kushtet që shqiptarët të mund të kthehen në atdheun e vet. Po punohet me mjete ushtarake e diplomatike që kjo të bëhet realitet, thotë Presidenti Rugova, duke u shprehur optimist për të ardhmen e popullit dhe vendit të vet.