Kujtimi i heroit të demokracisë Azem Hajdari, ishte sot një motiv më shumë për të na bashkuar në betejën kundër mafias dhe bandave në pushtet

27.10.2017 19:29:34

 Nga Monika Kryemadhi

Me emocione të papërshkrueshme nga vizita dhe takimet sot në Tropojë.
Një qytet me vlera dhe njerëz energjikë, që në çdo moment nuk e harrojnë të kaluarën për të jetuar sa më mirë të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen.

Kujtimi i heroit të demokracisë Azem Hajdari, ishte sot një motiv më shumë për të na bashkuar në betejën tonë kundër mafias dhe bandave në pushtet.
Përpjekja e kryeministrit në detyrë për të marrë protagonizëm gjatë ceremonisë së inaugurimit të shtatores së Azem Hajdarit, për të qenë live në ato media që i shan dhe i fyen pa limit, është tregues i qartë i frikës dhe pasigurisë.
Sepse sado pushtet dhe mbështetje të kesh nga bandat, nuk arrin kurrë të jesh i guximshëm për t’u përballur me të vërtetën e dhimbshme të një pushteti në rrënim. Sado “i fortë” të ndihesh nga banditët që të rrethojnë nuk do mundesh kurrë të krahasohesh me ata që guximin dhe formimin politik nuk e vunë kurrë në përdorim të së keqes.
Shqiptarët sot po jetojnë më keq, janë më të varfër, janë të papunë e të pa shpresë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Ky kryeministër i ka vendosur njerëzit e ndershëm nën sundimin e krimit në pushtet e ndaj i ka ditët e numëruara. Sepse vrulli, energjia dhe idealizmi i të rinjve shqiptarë do të drejtojnë edhe aksionin popullor për ç’rrënjosjen e bandave nga drejtimi i vendit, për të rikthyer demokracinë, lirinë e ndershmërinë si vlera mbizotëruese në Shqipërinë që duam të ndërtojmë për fëmijët tanë.