Kumanova ka mungesë të mjaltit, ankohen bletarët!

28.08.2017 14:19:16

Moti i lig në periudhën verore, ka ndikuar në sasinë e mjaltit në Kumanovë, informojnë nga Shoqata e bletarëve ‘Bleta’.

Prodhimi për çdo koshere të bletëve lëviz prej 5 deri 10 kg mjaltë, përderisa në vitet e kaluara, prodhimi ka arritur deri në 30 kg. Edhe pse bletarët ende nxjerrin mjaltë, përsëri kjo nuk do të ndikojë në rritjen e sasisë e cila do të mblidhet dhe do të plasohet në tregun lokal.

”Për fat të keq, kushtet klimatike në këtë periudhë, ishin zhgënjyese për bletarët. Kusht për bletari të mirëfilltë nënkupton të ketë rreshje, lagështi të ajrit dhe tokës, jo temperatura të larta prej 35 gradë C.

Përkundrazi ne përballemi me periudhë të thatë gati dy muaj, me temperatura deri 40 gradë C, kështu që, nuk kemi kushte në natyrë për mbledhjen e nektarit dhe bletët të mund të mbledhin mjaltë”, deklarohet Çasllav Ristovski, kryetar i Shoqatës.

Përndryshe në Kumanovë, ka afërsisht 8 mijë familje, në qytet ka rreth 200 bletarë, por viteve të fundit janë përfshirë edhe të rinj të cilët janë të interesuar për bletari.