Kundër ekstremizmit fetar/ A ka kundëramerikanizmi i VV-së bazë të ekstremizmit fetar islamik?

12.03.2020 11:34:47

Nga Rexhep Kastrati

Askush nuk ka të drejtë të cenojë apo të paragjykojë të tjerët për bindjet fetare! Kjo vlen edhe në Kosovë, ku ka pasur dhe ka një harmoni fetare shembullore dhe që i referohen edhe shtete të tjera! Kur bëhet fjalë për fotografi të shpërndara me pamje nga Kuvendi i Kosovës që përcjellin imazhe si të ndonjë Kuvendi të Iranit, dhe krahasimi që bëhet me parlamente të shteteve të tilla si Britania e Madhe etj., del të jetë i paqëndrueshëm!

Duhet pasur parasysh disa veçori dhe dallime thelbësore në Britani të Madhe, Francë, Gjermani e gjetiu ka një prani të madhe të popujve nga vendet arabo-muslimane dhe nga Turqia, pa llogaritur shqiptarët; këta me vete kanë sjellë edhe kulturën e tyre, traditat e tyre etj,; për shkak të rendit demokratik që kanë ato shtete, këto komunitete kanë të drejtë dhe përfaqësohen në institucione shtetërore; për shkak të pranisë së madhe të këtyre komuniteteve, kanë ndodhur edhe martesa ndëretnike dhe ndërfetare, duke krijuar edhe gjenerata kryqëzimesh me babë anglez, francez, gjerman, nënë arabo-muslimane, babën arabo-musliman e nënën angleze, franceze, gjermane. Këtë fenomen e kemi edhe ne me ç’rast shqiptarët martohen me gjermane etj.; ka një fenomen të pranimit të islamit nga popullata vendase! Të gjitha këto kanë bërë të mundur që në institucione të këtyre shteteve të ketë prani të
madhe të përfaqësuesve të ndryshëm me përkatësi fetare islame. Madje edhe kryetari i Londrës të jetë Sadiq Khan, një musliman me origjinë nga Pakistani! Këto trajtohen dhe janë pjesë të multikulturalizmit dhe kanë të bëjnë me kontekste të kohës së sotme, por sicio-historike. Kjo lidhet edhe me faktin se këto shtete, sidomos Anglia, Franca, Italia etj., kanë një lidhje të gjatë me shtetet arabo-muslimane, pasi kanë qenë kolonizatorë të tyre, e që lidhjet vazhdojnë t’i ruajnë edhe sot e gjithë ditën: Anglia-Britania e Madhe nëpërmjet Komonveltit që numëron mbi 50 anëtarë me rreth dy miliardë banorë! Franca, nga ana tjetër, nëpërmjet bashkësisë së shteteve frankofone është munduar të mbajë një lidhje me ish-kolonitë e saj dhe ta zgjerojë edhe me shtete të tjera ku në çfarëdo mënyre flitet frengjisht! Dhe si koloni, shtetet e sotme, përveç tjerash kanë pasur lidhje të hershme dhe përfaqësim institucional në shtetet kolonizatore!

Në Kosovë nuk ka komunitete të ardhura nga vendet arabo-muslimane dhe nuk ka ndonjë komunitet hibrid si pasojë e kryqëzimeve etnike dhe fetare! Dhe për pasojë nuk ka përfaqësim të tillë në institucione! Te ne nuk ka fenomen të multikulturalizmit çfarë është në shtete të ndryshme evropiane, pikërisht se nuk ka komunitete nga shtetet arabo-muslimane! Edhe raporti ynë me shtetet arabo-muslimane është raport si me çdo shtet tjetër, ta zëmë, si me shtetet latino-amerikane pikërisht për shkak të mungesës së ndonjë lidhje si të disa shtete të tjera evropiane!

Çështja për të cilën ka shqetësim te ne, nuk është përkatësia fetare e përfaqësuesve në istiticione shtetërore, arsimore, por ndërlidhja eventuale me grupacione, shoqata, e pse jo me agjentura të ndryshme që synojnë të nxisin ekstremizmin islamik! Në vendin tonë ka raste të tilla, kurse VV është e identifikuar si forcë politike me lidhje të këtilla! Raportet e Albin Kurtit me Shefqet Krasniqin, rasti i axhës së Rexhep Selimit, Islamit në shtëpinë e të cilit në lagjen “Dardania” në Prishtinë ushtronte veprimtarinë ilegalisht një sektë fetare, emailet e shkëmbyera me qarqe nga Turqia etj. Nga kjo nuk janë imune edhe partitë tjera, pra as PDK, as LDK, por në VV është e shprehur më dukshëm, dhe si rezultat kemi edhe pamjet si në fotografi të shpërndara nga Kuvendi i Kosovës!

Veprimtaria edhe e tipit agjenturor mbi bazë fetare mëton të ndërhyjë edhe në psikologjinë tonë kolektive, në identitetin tonë socio-psikologjik dhe etnologjik! Përveç kësaj, te ne po synohet manipulimi edhe agjenturor me theks nga Serbia dhe shtete të tjera kundërshqiptare për të nxitur ndjenja kundëramerikane dhe kundërperëndimore te ne. Ky fenomen është më i gjerë dhe më i ndërlikuar! Mjafton të kujtojmë se shumica e shteteve arabo-muslimane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë bërë për dy arsye kryesore: për shkak të lidhjeve me Serbinë, Rusinë dhe shtete të tjera edhe evropiane që janë aleatë të Serbisë, dhe; për shkak të ndjenjave kundëramerikane dhe kundërhebraike, dhe Kosovën e shohin pikërisht si satelit të SHBA-ve. E pamjet në fotografitë e shpërndara nga Kuvendi i Kosovës, përputhen me kundëramerikanizmin e Albinit dhe të VV-së! Kjo përputhje është e rrezikshme dhe rrezikon të masivizohet nëse nuk pritet në rrënjë, kurse VV rrezikon të shndërrohet në një lëvizje politike me një fuqizim brenda saj të ekstremizmit fetar!

Ekstremizmi fetar, përveçse rrezikon harmoninë fetare, rrezikon orientimet gjeoplitike e gjeosteategjike, rrezikon marrëdhëniet me aleatët, rrezikon edhe stabilitetin e brendshëm, rrezikon ta kthejë Kosovën në bazë të organizatave politike me bazë fetare dhe që shërbehen me forma të dhunshme për arritjen e qëlimeve të tyre! Është e tepërt të thuhet se ky është një nga qëllimet strategjike të Serbisë, të Rusisë dhe të aleatëve të tyre! VV është shumë afër këtyre, sepse ka edhe kundëramerikanizmin, ka edhe dhunën, ka edhe islamin politik!

Dhe të gjitha këto jo vetëm që janë kundër interesave kombëtare shqiptare, jo vetëm që janë kundër përkatësisë identitare dhe qytetëruese euro-perëndimore të shqiptarëve, por janë në kundërshtim me islamin tradicional të shqiptarëve dhe të traditës patriotike të klerit fetar islam!