Kundër negociatave/ Rama kritikon deputetin gjerman: Zë i huaj që flet personalisht, s’ka rëndësi

27.11.2016 17:57:33

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone kritike ndaj deputetit gjerman Krichbaum që deklaroi tre ditë më parë nga Tirana se grupi parlamentar të cilës i përket CDU-CSU, do t’i kërkojë Bundestagut gjerman që mos të hapen negociatat për Shqipërinë.

Në video-monologun e çdo të dielen, Rama e quajti deputetin gjerman “zë të huaj” që nuk flet në emër të Parlamentit, por mban një qëndrim personal.

“Këta zëra të huaj që ngrihen mund të përkojnë me nevojën e PD, por nuk përkojnë me qasjen e përgjithshme të vendeve anëtare, por as me nevojën e parlamenteve të tyre për t’u shprehur në këtë fazë.

Nuk jemi në momentin e përcaktimit të datës. Thonë cfarë thonë sot deputetë të ndryshëm, kjo në këtë moment nuk ka pikë rëndësie, sepse rëndësi ka çdo të thotë Këshilli Europian”, është shprehur Kryeministri Edi Rama për deputetin e Bundestagut gjerman.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Europianë në Bundestag, Gunther Krichbaum deklaroi se do të kërkojë që mos të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, pasi nuk ka përmbushur kushtet dhe listoi 7 prioritete që duhet të plotësohen nga Qeveria.