Kundërkorrupsioni do ta hetojë deputetin e VV-së për deklarim të rrejshëm të pasurisë

07.11.2017 14:22:14
Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër privatizimit që është bërë në Kosovë, ngase sipas tyre, punëtorët po mbesin në rrugë. Por, edhe deputeti i tyre, Salih Salihu ka privatizuar asetet shtetërore. Për më keq, pronën e blerë po e mbanë fshehtë. Në Agjencinë Kundër Korrupsionit kanë thënë se do ta hetojnë rastin.

Një hapësirë tokë e blerë nga shteti nëpërmjet Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Salih Salihu ka vendosur që të mos e deklarojë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Për këtë mosdeklarim, deputeti i VV-së i cili ka qenë edhe kandidatë për kryetar të Komunës së Vitisë, por që ka humbur nga Sokol Haliti, mund të dënohet deri në pesë vite me burgim, shkruan lajmi.net.

Salihu pritet të përballët edhe me Agjencinë Kunder Korruopsnit. Në Agjenci kanë thënë se për çdo deklarim të rrejshëm apo mos deklarim më kohë rasti dërgohet në Prokurori.

“Ju informojmë se AKK, ndaj të gjithë zyrtarëve të lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë në afatin e paraparë ligjor, po ashtu edhe ndaj atyre që vërtetohen se kanë deklaruar rrejshëm Konform ligjit  nr 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë se zyrtarëve të lartë publik, dhe prejardhjen deklarimin dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë dhe Kodit Penal te Kosovës AKK paraqet kallëzim penale në prokurorit kompetente, pastaj është çështje e prokurorisë për hetime të mëtejme dhe ngritje të aktakuzës e po ashtu edhe çështje e gjykatës për shqiptimin e dënimit, apo edhe masat e tjera”, thuhet në përgjigjën Agjencisë Kundër Korrupsionit për lajmi.net.

Tutje, Agjencia ka bërë të ditur se, sipas kodit penal për mos deklarim të  pasurisë në afatin ligjor dënimi është me gjobë dhe burgim deri në 3 vjet, ndërsa për deklarim të rrejshëm dënimi është me gjobë dhe burgim prej 6 muaj deri në 5 vite.

Sipas Raportit përmbledhës të shitjes së aseteve të AKP-së, Salih Salihu, ka privatizuar 96,681.00 metra katrorë tokë bujqësore të cilën e ka blerë 310 mijë euro. Toka është blerë më 17 mars 2014 në Valën e 59-të të Privatizimit. Formulari i pasurisë së Salihut nuk figuron në deklarimin e Kundër Korrupsionit për vitin 2015. Pos në vitin 2014, pasurinë si deputet e ka deklaruar përsëri në vitin 2016 dhe 2017 dhe as në këto dy vite nuk e ka deklaruar tokën e blerë nga shteti.

Nga privatizimi kanë përfituar edhe eksponent tjerë të VV-së.