Kundërshtimi për ushtrinë, Qeveria ia lë përgjegjësinë Presidencës për formimin e saj

17.03.2017 16:26:33
Qeveria e Kosovës ka lënë përgjegjësinë tek Presidenca nëse do të vazhdohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës, përmes ndryshimit të projektligjit për FSK-në, pas kundërshtimeve të mëdha të faktorit ndërkombëtar.

Zyrtarë qeveritar janë shprehur se Qeveria kryen vetëm punë formale rreth këtij projektligji kur janë pyetur nëse do të vazhdohet me procedim të projektligjit pas kundërshtimeve të mëdha nga NATO, SHBA e BE, shkruan lajmi.net.

“Projektligji është i Presidencës…qeveria kryen vetëm punën formale rreth këtij projekt ligji”, ka thënë Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa për lajmi.net.

Gecaj nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do procedohet në Kuvend projektligji për FSK-në, cili ka marr vlerësim pozitiv nga tri ministritë: MFSK, MIE dhe MF.

Nisma e presidentit Hashim Thaçi që ushtria të formohet përmes ndryshimit të projektligjit për FSK-në, e jo me anë të ndryshimeve kushtetuese për shkak të mos votës së Listës Serbe, është kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtar.

Këta të fundit po kërkojnë që Kosova ta formojë ushtrinë me anë të ndryshimeve kushtetuese, ku kërkohet dhe vota e deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës. Shumë i ashpër dhe i drejtpërdrejt në kundërshtim të kësaj nisme ka qenë ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delaëie, i cili dje ka kërkuar edhe nga Kuvendi që mos të heq dorë nga kjo nismë.

SHBA e NATO, të cilat kanë qenë mbështetës të zhvillimit të FSK-së, kanë kërcënuar më shqyrtim të vazhdimit të kësaj mbështetje nëse ushtria formohet pa ndryshime kushtetuese.