Kupa e Gjermanisë, Gladbach e Bayern në gjysmëfinale

01.03.2017 23:32:17

Mërgim Mavraj i dha lamtumirën Kupës së Gjermanisë, me Hamburgun që u mposht 2-1 në shtëpi nga Borussia Monchengladbach.

Mbrojtësi kuqezi ishte i pafat, pasi në minutën e 52-të shkaktoi 11-metërshin me të cilin miqtë kaluan në avantazh, me Lars Stindl që nuk gaboi.

Pak çaste më vonë, Monchengladbach fitoi një tjetër 11-metërsh. Raffael mori përsipër ekzekutimin dhe dyfishoi shifrat në favor të miqve.

Mavraj mund të kishte shlyer gabimin dhe të rihapte lojën, por kuqeziu ishte i pafat në tentativën e tij në minutën e 63-të.

Hamburgu shkurtoi shifrat me Bobby Wood, në minutën e dytë të kohës shtesë, por ishte shumë vonë për të shpresuar te barazimi dhe Gladbach festoi kalimin mes katër më të mirave.

Gjithçka e lehtë për Bayern Munchen përballë Schalkes. Fitore e lehtë 3-0… për skuadrën e Ancelotti-t, me rezultatin që u zhbllokua nga Robert Leëandoëski vetëm pas 3 minutave lojë.

Në të 16-ën polaku u transformua në njeriun asist për golin e Thiago Alcantara-s, ndërsa çdo diskutim u mbyll ende pa kaluar gjysmë ore lojë, me Leëandoëskin që realizoi edhe golin e tretë të bavarezëve.

Me Schalken që e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Badshtuber, Bayerni u kualifikua në gjysmëfinalet e Kupës, për një tjetër sezon ku synon ti fitojë të dy trofetë në Gjermani.