Kuqezinjtë në prag të përballjes me Francën, dy futbollistë me probleme

03.09.2019 18:02:30

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar paraditen e sotme seancën e dytë stërvitore në prag të përgatitjeve për sfidën e ditës së shtunë ndaj Francës, të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2020.

Në seancën e sotme kanë munguar 2 futbollistë. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Empolit, Frederik Veseli dhe mesfushorin e Peskarës, Ledjan Memushaj. Ata kanë shfaqur shqetësime të lehta fizike, por me shumë gjasa nuk do të rrezikojnë praninë e tyre në sfidën ndaj kampionëve të botës.

Fokusi i stërvitjes të sotme, ishte te ngarkesa fizike. Ekipi e filloi me disa vrapime e më pas grupi i lojtarëve u përfshi në lëvizje koordinative, derisa skuadra u nda në 3 grupe, ku secili kishte detyra të veçanta, i pari u përqendrua tek startet e shkurtra me ndryshim drejtimi, i dyti në vrapime në kushte loje duke improvizuar kundërshtarin, ndërsa grupi i tretë i përbërë nga lojtarët e linjës, Hysaj, Lenjani, Binaku e Roshi kryen vrapime të shpejta në vijë të drejtë.

Vlen të theksohet se seanca e sotme stërvitore u monitorua nga ajri me dron. Kujtojmë që kuqezinjtë do të zhvillojnë një tjetër seancë stërvitore pasdite.