Kur akademik Daci flet me logjikën e Ramiz Lladrovcit: Forca bën fuqinë

21.05.2017 11:59:11

Nga Rexhep Kastrati

Në një intervistë që Nexhat Daci i dha një medie në Kosovë, për mua nuk ishte më e rëndësishmja se ai vazhdon të jetë një militant i Ramush Haradinajt, por logjika me të cilën e arsyeton këtë. Se është militant i Ramushit, Nexhat Daci e ka dëshmuar si në kohën e presidentit Rugova, ashtu edhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2014. Dhe më pikantja ka qenë kur vullnetit dhe angazhimit serioz të kryetarit të LDK-së, isa Mustafa për të bashkuar të gjithë faktorët dhe aktorët për t’i fituar zgjedhjet, Nexhat Daci kishte kushtëzuar bashkëpunimin me kushtin që kryeministër i Kosovës, në rast fitoreje të zgjedhjeve të jetë Ramush Haradinaj. Pra në intervistën e fundit, Nexhat Daci ka konfirmuar se vazhdon të jetë në të njëjtat pozicione, pavarësisht se Ramush Haradinaj pikërisht për të penguar fitoren e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, është bërë me Kadri Veselin në një koalicion të përbashkët të prontopolitikës dhe të haraçpolitikës, dhe pavarësisht se gjatë tërë legjislaturës së kaluar ka bërë gjithçka për destabilizimin e vendit vetëm pse qeverisjen e vendit e drejtonte LDK dhe kryeministri Mustafa. Pra, Nexhat Daci nuk ka thënë ndonjë gjë të re, përveçse ka konfirmuar lidhjet e thella me Ramush Haradinajn, bazën e të cilës duhet ta shpjegojë vetë para se ta shpjegojnë të tjerët.

Ndërkaq, e ka humbur fare, e ka devalvuar veten deri në fund kur ka provuar të bëjë krahasime ndërmjet kanddiatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinajt, sepse në këtë pikë, akademik Daci ka treguar se ka rënë në nivelin e Ramiz Lladrovcit, përkatësisht në logjikën e tij, sipas të cilës forca bën fuqinë. Nexhat Daci, duke folur për Avdullah Hotin dhe për Ramush Haradinajn, ka thënë se Ramush Haradinaj është më i fortë se Avdullah Hoti, dhe këtë e ka marr si kriter, apo arsye se përse kryeministër duhet të jetë Ramushi. Gjithë tirada e Nexhat Dacit në këtë drejtim  është bërë sikur të bëhej fjalë për xhudo, për boks, apo për tai boks, ku duhet forcë për të mposhtur kundërshtarin,  e jo për qeverisje të vendit, që bëhet në bazë kushtetuese dhe ligjore dhe nëpërmjet institucioneve shtetërore. Nexhat Daci e koncepton drejtuesin e Qeverisë një boksier, një karatist, një xhudist apo një tai-bokser që duhet të rrihet me kundërshtarët politikë,  e jo një personalitet që duhet të ketë dijen, ekspertizën, vullnetin dhe vendosmërinë për të hartuar, për të planifikuar, për të realizuar një qeverisje të mirë në përputhje me një vizion të qartë zhvillimor dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit.

Në fushën e planifikimit, udhëheqjes dhe të vizionit, Avdullah Hoti është dëshmuar një personalitet i devotshëm, i përkushtuar dhe i aftë për të menaxhuar financat e shtetit, për të bërë reforma të thella si në fushën fiskale, si në menaxhimin e maturuar të buxhetit, si në planifikimin dhe realizimin e strategjive zhvillimore dhe ka dëshmuar se u rri angazhimeve dhe përgjegjësive të tij politike, shtetërore dhe ligjore. Këtë nuk jam duke  ethënë veç unë, por e kanë thënë edhe institucione profesionale ndërkombëtare që nga FMN e teposhtë. Dhe forca e Avdullah Hotit është pikërisht këtu, prandaj edhe garancia se me të kryeministër Kosova do të vazhdojë rritjen ekonomike, do të vazhdojë reformat, do të vazhdojë forcimin e shtetit dhe të institucioneve të tij është më e madhe se me secilin kandidat tjetër, e të cilët kanë dëshmuar se për interesat e tyre personale, janë bashkë. Dhe janë bashkë jo vetëm për interesa personale, por edhe për të realizuar interesa kundërshtetërore, ashtu siç kanë dëshmuar më qartësisht se më parë vitet e drejtimit të qeverisjes nga LDK dhe nga kryeministri Mustafa.