Kur Nisma apo bishti i PDK-së kritikon LDK-në dhe kryeministrin Mustafa për koalicion me PDK-në!

30.04.2017 19:28:17

Nga Rexhep Kastrati

Kuvendarja e Nismës , Valdete Bajrami, na paskësh marr dhe mbllaçitur propagandën e gjertanishme kundër kryeministrit Mustafa, e që ka të bëjë me koalicionin e lidhur me PDK-në, si dhe me çështje të tilla si demarkacioni. Mirëpo, kjo farë kuvendare që flet në emër të një bishti ti PDK-së, të krijuar nga ish-nënkryetari i saj dhe ministër në Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi, para se të mbllaçitë propagandën e stërmbllaçitur nga të tjerët kundër LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, duhet t’i ketë parasysh këto:

  1. Koalicionet qeverisëse në Kosovë janë ndërtuar edhe mbi bazën e rezultatit zgjedhor, edhe mbi bazën e interesave të vendit për gjthëpërfshirje, apo për përfshirje më të gjerë për hir të stabilitetit të vendit dhe të proceseve madhore në vend. Nga paslufta, pra nga viti 2002 e deri më tash, vetëm në dy mandate jo të plota nuk ka pasur koalicion LDK-PDK: pas zgjedhjeve të dyta të përgjithshme kur u bë koalicioni me AAK-në, dhe në mandatin e kaluar kur PDK kishte një koalicion me AKR-në dhe PD me pakicat. Në të gjitha rastet, Fatmir Limaj ka qenë në krye të PDK-së, e madje edhe ministër i saj. Të gjitha këto koalicione që i ka realizuar presidenti Rugova dhe Fatmir Sejdiu, kanë qenë koalicione të vështira dhe të panatyrshme, por atëherë nuk janë quajtur të tillë, sepse pushtetin e merrnin të tjerët, kurse tash po quhet i panatyrshëm vetëm pse kësaj radhe pushtetin e ka LDK. Manipulimi me ndjenjat dhe disponimin e mbështetësve dhe të votuesve të LDK-së, e që shpërfaq një qëndrim idiot të marrjes së pozitës së paraqitësit dhe mbrojtësit të vullnetit të tyre, ka vetëm për qëllim që të bëjë diversion ndaj LDK-së, ashtu siç ka bërë edhe Ramush Haradinaj. Asnjëherë nuk është shtruar çështja se koalicioni i PDK-së është në kundrshtim me vullnetin e votuesve të kësaj partie, pra nuk është shtruar edhe refelektimi i këtij koalicioni te zgjedhësit e PDK-së, që duket është shumë më i madh dhe që po e trondit këtë parti.
  2. LDK dhe kryeministri Mustafa, kanë vazhduar rrugën e trasuar më parë nga presdienti Rugova, edhe kur ka bërë koalicion paszgjedhor me AAK-në dhe Nismën dhe të cilën me kushtëzime e pat mbsëhtetur edhe sekta okulte e Albinit. Dhe edhe ky koalicion, pra WLAN ishte po aq i panatyrshëm për LDK-në, sa edhe koalicioni me PDK-në, por megjithatë është bërë dhe është zhbërë vetëm pas vendimit të Gjykatës kushtetuese për pakushtetutshmërinë e tij. Dhe derisa ka ekzistuar WLAN-i askush nuk e diskutonte natyrshmërinë apo panatyrshmërinë e atij koalicioni, e edhe kryeministri Mustafa dhe LDK konsderoheshin partnerë seriozë. Kjo do të thotë se LDK vlerësohet kur jep pushtet dhe kur ndihmon të tjerët të marrin pushtet, por jo edhe kur ajo vetë merr pushtet dhe drejton Qeverinë e vendit. Dhe do të mjaftonte vetëm kaq për të kuptuar se sa qesharak dhe se sa të mjerë janë ata që pretendojnë të bëjnë diversion ndaj LDK-së me marrëzira të tilla.
  3. Demarkacioni me Malin e Zi është negociuar nga Hashim Thaçi, atëherë kryetar i PDK-së dhe kryeministër i Kosovës, kohë kur Fatmir Limaj ishte nënkryetar i saj dhe personalitet me ndikim në këtë parti. Edhe nënshkrimi është bërë nga Hashim Thaçi dhe ka marr karakterin e një marrëveshjeje ndërkombëtare që duhet të zbatohet. Si marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar ndërmjet dy shteteve, kjo Marrëveshje është obligative për çdo Qeveri dhe për secilin kryeministër, pra edhe për të gjithë pretenduesit për postin e  Kryeministrit. Kjo do të thotë se kjo Marrëveshje do të jetë e vlefshme edhe në të ardhmen, derisa nuk miratohet në Kuvend, dhe do të japë po ato mundësi për të bllokuar institucionet për çdo parti që do të jetë nesër në opozitë dhe që do të mëtojë të bëjë lojëra politike. Madje qëndrimet e partive opozitare dhe të ndonjë kuvendari të partive në pushtet do të bëhen bumerang për vetë ato, sepse që paradhënie dhe parathënie kanë përcaktuar qëndrimin e mëtejmë të tyre, ose do të peshojnë në rast ndryshimi të këtij qëndrimi në të ardhmen. Hipokrizia me demarkacionin me Malin e Zi, do të mund të kuptohej më qartë kur me asnjë pikë nuk u vu në dyshim një marrëveshje që nuk e ka arritur Kosova, por Beogradi me Shkupin për kufirin  e Kosovës me Maqedoninë. Bile pat nxitim për t’u realizuar ajo. Dhe në të gjitha këto kanë qenë të involvuara shumica absolute e atyre që tash bëjnë heronjtë dhe patriotët me bateria.