Kur propaganda antishqiptare e mediave greke, s’mund t’i bënte ballë intelektit të Sami Frashërit

09.12.2016 01:21:59

Shumë lexues shqiptarë janë habitur ditët e fundit me shkrime ekstreme të medias greke për shqiptarët. Por, sulme dhe qëndrime të tilla ekstreme nga mediat greke, nuk janë dukuri e kohëve të fundit.

Sami Frashëri lindi në vitin 1850. Ai ishte vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit. Njihet si romancier dhe dramaturg, si gjuhëtar i madh dhe filozof, si përkthyes dhe pedagog, si autor i një sërë veprash shkencore, si autor tekstesh për shkollat, si autor i manifestit të Rilindjes sonë Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, si politikan largpamës e si ideolog.

Mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes, një nga “gjeneralët” e mendimit shqiptar.

Në kohën kur vepronte Samiu, pra në çerekun e fundit të shek. XIX, fuqitë e mëdha bënin plane për ndarjen e sferave të ndikimit. Në këtë kohë Samiut iu desh të përballej fuqishëm me armën që kishte në dorë, gazetën “Terxhuman- i Shark”, kundër gazetës greke ”Neologos” që dilte në Stamboll dhe që ishte hedhur haptas kundër shqiptarëve.

Në sulmet e gazetës greke vihet re një gjuhë e vrazhdë, një ndjenjë e hapur armiqësore dhe fyese, ndërsa përgjigjet e Samiut janë të matura e të argumentuara.

Në artikujt e gazetës greke shfaqej hapur injorimi dhe përçmimi i popullsisë shqiptare, që, sipas grekëve, vrasin e presin pa dallim pleq e fëmijë.

Samiu në gazetën “Texhumani shark” jep këtë përgjigje: “Shqiptarët as armiqtë nuk i vrasin kur i gjejnë të paarmatosur. Këto sjellje e zakone të shqiptarëve, që i kanë patur vetëm kalorësit, dihen nga tërë bota. Prandaj këto shpifje nuk mund të ndikojnë te askush”.

Por, si kalorës fjale, kur e do puna ai harbutit i përgjigjet harbutçe, kur shkruan: “E sigurojmë ‘Neologos’-in se shqiptarët mund të hakmerren me një të pështyrë në fytyrë të atij që ka shkruar kundër tyre”.

Polemika me gazetën greke ka vazhduar gjatë, aq sa ka ndërhyrë edhe Drejtoria e Lartë e Shtypit e Portës së Lartë për ta ndërprerë.

Aq poshtë ranë gazetarët grekë sa i thanë se edhe “mendjen” Samiu e ka nga ata. Kjo sepse pas mbarimit të shkollës fillore të fshatit, Samiu vazhdoi mësimet në gjimnazin e Janinës. Sipas gazetës greke, Samiu “kishte harruar bukën që i kishin dhënë grekët, kur kishte studiuar në gjimnazin Zosimea të Janinës.

“Shyqyr Zotit”, thotë Samiu, “nuk kemi patur nevojë për ta na ushqyer të tjerët”.

Dhe, vërtetë ai s’ka marrë bursë ose ndihmë financiare greke, por, siç dihet, për të shpenzonte vëllai më i madh i tij, Avdyli, që e kishte nën mbikëqyrje e kujdes.

Këtë problem Samiu e qartëson mirë: “Mos u dashka vallë që një njeri që ka qenë në një shkollë greke, e cila gjendet në territorin e Perandorisë Osmane ose edhe në territorin grek, të tradhtojë origjinën dhe kombësinë e vet, për të përkrahur pretendimet e padrejta të grekëve? A nuk do ta quante të ligjshme e ta miratonte ‘Neologosi’ shërbimin që do t’i bënte një grek që ka studiuar në Petersburg, pansllavizimit në vend të interesave greke?”.